Kosova

Kurti takon ambasadorin Abbot, flasin për sfidat që vijnë nga agresioni rus në Ukrainë


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott në takim zyrtar.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të hënën e 30 majit, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin ka biseduar “për çështjet e sigurisë, sfidat që vijnë nga agresioni rus në Ukrainë dhe lufta e zgjatur shkatërrimtare”.

Sipas njoftimit zyrtar të Qeverisë, Kurti e ka falënderuar ambasadorin për kontributin shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës.

“Duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmën dhe përkrahjen që Mbretëria e Bashkuar ia ka dhënë Kosovës, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin për thellim të mëtejmë të partneritetit dhe aleancës së ndërsjelltë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott në takim zyrtar.

Në këtë takim gjithashtu janë diskutuar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve si dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm.

“Diskutuan për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e intensifikimit të mëtejmë të bashkëpunimit, në veçanti në fushën e ekonomisë, kulturës dhe sundimit të rendit e ligjit”.

 

Kurti gjatë ditës së hënë, priti në takim edhe Komisioneren për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Dunja Mijatoviç.

Kryeministri, Albin Kurti dhe Komisioneria për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Dunja Mijatoviç

Në këtë takim u diskutuan të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe demokracia.

“Reformat e nisura nga qeveria në drejtësi, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe luftën kundër krimit e korrupsionit. Duke veçuar indikatorët pozitivë ekonomik, ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për të kthyer rritjen ekonomike në rritje të mirëqenies për qytetarët, nëpërmjet politikave sociale, që në fokus e kanë qytetarin dhe barazinë shoqërore”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjithashtu u përmendën nismat e Qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, “gjykimin e këtyre krimeve, zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe luftimin e stigmës ndaj dhunës seksuale gjatë luftës, që ishte përdorur si armë lufte në Kosovë”.

U bisedua edhe për bashkëpunimin rajonal, ndikimin e luftës së Ukrainës, si dhe u theksua nevoja për vëmendje shtesë të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit.

Komisionerja Mijatoviç shprehu vlerësimin e saj për programin e qeverisë për pranimin e 20 gazetarëve nga Ukraina duke thënë se “kjo është një iniciativë e çmueshme, që do të duhej shumëfishuar në vendet e tjera të Evropës”.

Gjatë këtij takimi u përmend edhe rritja e shumës së asistencës sociale, rritja e pensioneve, fillimi i zbatimit të programit për shtesa për lehona dhe fëmijë, si dhe studimet falas.

Kryeministri gjithashtu theksoi angazhimin e Qeverisë për avancimin e barazisë gjinore, mbylljen e hendekut gjinor në profesione, dhe mbështetjen në avancimin e vajzave në shkencë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore