Lajme

Kurti takohet me Presidentin e Rotary International – E informon për të arriturat e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Rotary International, Shekhar Mehta

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti të martën e 1 shkurtit ka pritur në takim Presidentin e Rotary International, Shekhar Mehta, ku e ka informuar atë për reformat e filluara në fushën e drejtësisë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, si dhe rritjen ekonomike, që sipas Bankës Qendrore të Kosovës është prej 9.9 për qind, thuhet në një njoftim të zyrës së kryeministrisë.

Sipas Kryeministrit Kosova ka shënuar rritje në të hyrat doganore dhe në akumulimin e taksave tatimore.

“Ai veçoi rritjen e të hyrave doganore për mbi 1/3 si dhe rritjen e të hyrave tatimore për mbi 1/4, krahasuar me vitin paraprak”, thuhet në njoftim.

Kurse për situatën e përballjes me pandeminë COVID-19, Kurti ka thënë se në vend deri më tani janë administruar rreth 1.6 milion vaksina ndërsa sipas tij janë vaksinuar rreth 60 për qind e popullsisë të moshës mbi 16 vjeçare me dy doza të vaksinës, ndërsa në vend po vazhdohet vaksinimi edhe me dozën e tretë përforcuese.

Nga ana tjetër kryetari i Rotary International, Mehta në njoftim thuhet se e ka falënderuar kryeministrin për pritjen, por i ka konfirmuar gjithashtu edhe përkrahjen e mëtutjeshme të Rotary për projektet në Kosovë.

Mehta thuhet se ka folur për mbarëvajtjen e aktiviteteve në Kosovë, ku kjo organizatë ka prezencë tash e 30 vite.

Sipas njoftimit thuhet se “ai shprehu gatishmëri për mbështetje dhe ndihmë në fushat e arsimit dhe shëndetësisë, qoftë me infrastrukturë apo ngritje të kapaciteteve”.

Kryeministria ka thënë se në takimin e përbashkët, morën pjesë edhe Katerina Kostali Papadimitrou, Drejtore e zonës 21&22 të Rotary International, Radu Popescu, President përfaqësues për Kosovë dhe Shqipëri, Fleta Baraku, Kryetare e Këshillit Rotary në Kosovë, Ardian Hoxha, anëtar themelues i Rotary Club Prishtina si dhe Veton Qipa, anëtar i Këshillit Rotarian në Kosovë.

Para takimit me Kurtin delegacioni i organizatës Rotary International është pritur në takim edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Zyra e Presidencës, përmes një njoftimi për media ka thënë se në këtë takim mes presidentes Osmani dhe presidentit Mehta janë diskutuar mundësitë për bashkëpunim.

“Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetje posaçërisht në sferën e shëndetësisë dhe të arsimit”.

Ndërkaq, Mehta ka bërë të ditur se prioritet do të kenë mbështetjen e fëmijëve në sektorin e shëndetësisë.

“Kurse presidenti Mehta ka theksuar se kjo organizatë ka interesim ta mbështesë sektorin e shëndetësisë me trajtimin e fëmijëve që kanë probleme specifike shëndetësore, trajnimin e stafit shëndetësor, sikurse edhe digjitalizimin në sektorin e arsimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore