Zgjedhjet në Kosovë

Kurti pyetet se a do t’i mbështesë të gjithë kryetarët e komunave njëjtë, por nuk jep përgjigje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit duke e hedhur votën në njërën nga qendrat e votimit në Prishtinë.

Pas votimit, Kurti nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetares nëse si kryeministër i vendit do t’i mbështesë të gjithë kandidatët pavarësisht se kush fiton nëpër komuna, edhe nëse nuk janë te partisë së tij.

“Fushata ka përfunduar dje në orën 07.00 të mëngjesit, dje kishim heshtjen zgjedhore e sot flasin qytetarët”, deklaroi ai.

Ai ka thënë se komuna në njërën anë është publikja e lagjes e në anën tjetër “qeliza” e Republikës.

“Unë si qytetar i Republikës sapo votova, sapo  ushtrova të drejtën demokratike për të zgjedhur kryetarin e komunës që do të qeverisë në katër vitet në vijim. Komuna është shumë e rëndësishme, në njërën anë publikja e lagjes dhe në anën tjetër është qeliza e Republikës”, u shpreh Kurti.

Ai para gazetarëve u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin dhe të votojnë, duke shtuar se në të dielën e 14 nëntorit po përmbyllet një vit i suksesshëm.

“Inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë mundësinë, që të përcaktohen për vetën e tyre përmes udhëheqësve që do t’i zgjedhin sot. Moti është shumë i bukur dhe pa të reshura andaj pjesëmarrja masive është e pritshme. Me 14 nëntor sot po e përmbyllim një vit të suksesshëm dhe të mirë elektorale që nisi me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, vazhdoi me zgjedhjet e 17 tetorit dhe tash sot e kemi balotazhin”, shtoi Kurti.

“Kosova ka dëshmuar se është një shtet demokratik në të cilin respektohen të gjitha të drejtat e qytetarëve dhe ku ata në mënyrë të lirë e të ndershme. Urime të gjithëve kjo përmbyllje e jashtëzakonshme elektorale”.

Në këtë raund të zgjedhjeve lokale, në 21 komuna ku do të zhvillohet balotazhi të drejtë vote kanë gjithsejtë një milion e 260 mijë e 571 votues, apo 624 mijë e 887 votues më pak krahasuar me numrin e votuesve të certifikuar në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor në 38 Komuna të Kosovës.

Në balotazh do të votohet vetëm për Kryetarë komune nga lista zgjedhore e cila përmban dy kandidatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore