Lajme

Kurti pro shamisë në shkolla – “mosha 16 vjeçare të jetë pragu”


Albin Kurti

Për Albin Kurti, kryeministrin e Kosovës, nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve.

Megjithatë sipas tij, pragu i lejimit të shamisë duhet të jetë mosha 16 vjeçare.

Për Kurtin, mosha 16 vjeçare është e duhura pasi sipas tij në këtë moshë personi mund të pajiset edhe me kartën e identitet, por edhe mund të lidhë kurorë.

“Qëndrimi im është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve por duhet të jemi të lirë, mirëpo gjithashtu kam thënë që mosha 16- vjeçare duhet të jetë pragu, dhe moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra të cilat kanë ndodhur dhe që do të duhej të ndodhin”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media pas një vizite në Doganën e Kosovës.

Sipas Kurtit qëndrimi i tij për shaminë nuk është qëndrim i ri.

“Ministria po e përcjellë me vëmendje shqetësimin e qytetarëve që e kanë nisur një fushatë për ndryshim të udhëzimit. Ne do ta kemi edhe Ligjin për Komunitetet Fetare që do ta sjellim në Kuvend. Qëndrimin tim e kam thënë para shumë vjetëve, nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve të tjera fetare në jetën publike, duhet të jenë të lirë”.

Javëve të fundit, pas më shumë se një dekade, bartja e mbulesës për vajzat e besimit islam në shkollat publike është rikthyer si temë diskutimi në Kosovë.

Një udhëzim administrativ i nxjerr nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës në vitin 2010, vendosi të ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme, në vend.

Udhëzim ky i cili edhe në atë kohë kishte nxitur reagime të shumta.

Debati për lejimin e shamisë në shkolla nuk është i kufizuar në Kosovë. Shumë shtete janë në faza të ndryshme të këtij diskutimi.

Gjithsesi, për momentin, debati në Kosovë është kufizuar në rrejte sociale e studio televizive. Qeveria, përkatësisht ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që e ka në dorë largimin e nenit, ende nuk është marrë konkretisht me këtë çështje.

Megjithatë MASHT-i, një ditë më parë përmes një komunikate për media njoftoi se si ministri ata do të përmbushin të gjitha obligimet ligjore dhe do të sigurohen që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore me fillimin e vitit të ri shkollor.

E ky reagim i Ministrisë së Arsimit në vlugun e debatit për shaminë u interpretua si zbutje e pozicionimit për këtë çështje.

Shamia që mbulon mundësitë për shkollim

“Shamia mi mbulon flokët e jo trurin”

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore