Lajme

Kurti përkujton Zymberin: Është dëshmor i sovranitetit të Kosovës


Albin Kurti

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Enver Zymberi është dëshmor i sovranitetit dhe ligjshmërisë së Kosovës. I pari i ekzekutivit në nderim të rënies së Enver Zymberit në Veri të Kosovës, më 26 korrik të vitit 2011, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka atë.

Sipas Kurtit, 26 korrikut dita e rënies si dëshmor i pjesëtarit të Policisë së Kosovës, është shënuar me emër të përveçëm.

“Ai u vra nga struktura kriminale serbe, që asnjëherë deri sot nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Ushtar i UÇK-së në luftë më 1999, Enver Zymberi ra dëshmor i veshur me uniformën e policisë, në kryerje të detyrës zyrtare dhe në bartje të misionit për shtrirjen e plotë të sovranitetit”, ka shkruar Kurti.

Çdo përvjetor i rënies së Enver Zymberit, sipas Kurtit rikthen britmat e kujtesës institucionale për t’i çuar para drejtësisë ata që e vranë dhe për t’i rimenduar mësimet e mësuara nga aksioni i filluar më 25 korrik 2011, atë të forcimit të rendit e ligjit dhe për ruajtjen e sovranitet të plotë dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Në nderim të veprës së Enver Zymberit dhe policëve të rënë në detyrë, në mbledhjen e 24-të të Qeverisë, propozuam që 26 korriku të shënohet si Dita e Policëve të rënë në krye të detyrës. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe lavdia e heroit të Republikës sonë, Enver Zymberi!”, ka shtuar ai.

Të martën e 26 korrikut të këtij viti janë bërë 11 vjet kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinje dhe Bërnjak.

Mirëpo gjatë këtij aksioni ra dëshmor polici Enver Zymberi nga strukturat ilegale serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore