Lajme

Kurti për vrasjen e trefishtë në Deçan: Ende s’ka ndonjë të dyshuar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se informatat lidhur me vrasjen në Gllogjan të Deçanit janë duke u shtuar, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

Në sulmin ndaj autobusit me nxënës, të premten e 26 nëntorit, mbetën të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Kurti pas varrimit të dy nxënësve të vrarë, ka vizituar Stacionin e Policisë në Deçan, ku më pas është prononcuar për media së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti.

“Po rritet sasia e informacionit, por ende nuk e kemi zgjidhjen. Por nuk po mungon angazhimi, është shtuar numri i zyrtarëve që po merren me hetimin e hulumtimin, në mënyrë që të sillet para drejtësisë vrasësi apo vrasësja”, është shprehur Kurti para mediave.

“Momentalisht nuk kemi të dyshuarin, të pandehurin, porsa të kemi informacione për këtë, sigurisht se do t’iu  njoftojmë. Po rritet sasia e informacionit që po marrim me hulumtimin e hetimin që po bëhet, edhe nga vendi i ngjarjes, e sidomos nga marrja në pyetje e dëshmitarëve. Por, nuk e kemi emrin ose emrat e përveçëm të vrasësit”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, ka thënë se “gjithë hetuesit e krimeve të rënda janë angazhuar në këtë operacion policor e në marrje në pyetje të dëshmitarëve potencial e njerëzve që mund të jenë të lidhur në ndonjë rrethanë apo tjetër me viktimat ose me rastin”.

Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti

“Kemi dy-tri pista, siç e potencuam edhe dje, që potencialisht mund të jenë motive të ndryshme. Kemi biseduar jo vetëm me Stacionin e Autobusëve, por edhe me njerëzit që kanë pasur kontakt me viktimat apo shoferin, dhe me gjithë personat potencialisht që kanë mundur të kenë kontakt apo informata lidhur me rastin”, ka thënë Mehmeti.

Ndërkaq, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit, të dielën e 28 nëntorit iu është dhënë lamtumira e fundit dy nxënësve që u vranë në sulmin e ditës së premte ku me ç’ rast humbën jetën tre persona.

Viktimat e sulmit të ditës së premte në fshatin Gllogjan të Deçanit

Gjatë ditës së diel është varrosur edhe viktima e tretë apo më saktësisht shoferi i autobusit.

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 të premten e 26 nëntorit nga një person i maskuar i cili i doli në pritë autobusin, duke i dalë përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Deri më tani nuk dihet akoma se kush mund ta ketë kryer këtë akt, autori i së cilit gjendet akoma në arrati.

Autobusi që u sulmua të Premten në Gllogjan të Deçanit

Megjithatë Qeveria e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për qytetarët që me informacionet e tyre mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

“Apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20 mijë euro për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore