Lajme

Kurti kujton viktimat civile dhe dëshmorët e Polacit: S’do të reshtim së kërkuari drejtësi për krimet e luftës


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kuri, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen, përkujtoi viktimat civile dhe dëshmorët e Polacit të Drenicës, të cilët u vranë nga ushtria dhe polica e Serbisë në verën e vitit 1998.

Ai deklaroi se pas fushatave vrastare të kryera mbi shqiptarët e Kosovës, preokupimi më i madh i Serbisë ishte fshehja e krimeve dhe zhdukja e gjurmëve, që kryesisht synohej përmes zhdukjes së trupave të pajetë.

“Shtatë banorë të Polacit janë ende të pagjetur, teksa autoritetet e Serbisë i refuzojnë dhe i bishtnojnë bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Në kohën e luftës, 20 banorë të Polacit u mbijetuan plagëve”, kujtoi ai.

Kurti theksoi se në Polac u vranë 86 njerëz; në mesin e tyre 78 viktima civile dhe 8 dëshmorë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), derisa policia dhe ushtria serbe e dogjën dhe shkatërruan pothuajse tërësisht fshatin.

“Shoqëria dhe shteti i Kosovës do të kujdesen për trashëgiminë e luftës së popullit të Kosovës. Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat, për krimet e luftës dhe dëmet e luftës në drejtim të kriminelëve dhe në adresë të urdhërdhënësve të tyre!”, shkroi kreu i ekzekutivit kosovar.

Serbia nuk i pranon krimet e luftës në Kosovë, nuk kërkon falje dhe nuk tregohet e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e civilëve të masakruar në periudhën 98-99.

Këshilli i Evropës i kërkon Serbisë t’i hapë arkivat e ushtrisë e t’i dënojë rastet e mohimit të krimeve të luftës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore