Kosova

Kurti kujton dëshmorët e rënë për çlirimin e Kosovës në Ditën e Veteranëve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar të premten e 30 dhjetorit në Ditën e Veteranëve të gjithë dëshmorët e rënë për kauzën e çlirimit të vendit dhe ka uruar njëkohësisht “të gjithë luftëtarët e paepur të lirisë”.

Lajmi u bë i ditur në median sociale “Facebook”, duke cituar statusin e kreut të Qeverisë.

“Sot është Dita e Veteranëve, e gjithë atyre që luftuan me armë në dorë, guxim në zemër dhe vullnet në mendje, për çlirim e bashkim, për të jetësuar Republikën e Kosovës, bashkë me ne”, shprehet fillimisht Kurti.

Sipas tij, kjo ditë përkon me 30 dhjetorin e vitit 1991, kur për herë të parë, policia serbe rrethoi shtëpitë e Shaban Jasharit në Prekaz, në kërkim të të birit të tij Ademit.

Ky i fundit, shkruan kryeministri, sapo ishte kthyer prej Shqipërisë pas stërvitjesh ushtarake.

“Ajo ditë e hënë e para 31 viteve, për Prekazin nisi në ora 05:15 të mëngjesit, me thirrjet e policisë serbe me megafon: ‘Dorëzohu Adem Jashari’. Por Ademi, bashkë me vëllezërit e tij Rifatin dhe Hamzën, e kishin ndarë mendjen me kohë, të luftonin kundër Serbisë pa kushte, deri në liri a vdekje”, vijon Kurti.

Për kryeqeveritarin, luftimet e asaj dite mes policisë serbe dhe familjes Jashari si dhe shokëve që u erdhën në ndihmë, shënon fillimin e një kapitulli të ri që do të përmbyllej me çlirimin e Kosovës.

“Serbia e asaj kohe nuk e dinte dhe as që mund ta ketë parashikuar që Shaban Jashari dhe bijtë e tij, do të vazhdonin të jenë shpirti dhe trupi i asaj lëvizje të armatosur që u quajt Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjer në fund, deri në çlirimin e Kosovës”, ravijëzon në përmbyllje kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore