Lajme

Kurti: Kosova pala konstruktive në dialog, ne e mbështesim Procesin e Berlinit, jo iniciativat paralele


Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Olaf Scholz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në një konferencë të përbashkët për media, ka thënë se Kosova është pala konstruktive në raport me dialogun, dhe se sipas tij njohja reciproke duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e jo në fund.

“Jemi të përkushtuar që të ecim shpejtë, të kemi rezultate konkrete dhe të bashkëpunojmë shumë. Kosova në raport me dialogun jep propozime në linjë me vlerat e përbashkëta me Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.

I pari i ekzekutivit, në takim me kancelarin gjerman ka potencuar se ka kërkuar nga ky i fundit shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Koha është të thuhet mjaftë është mjaftë, Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë e është rralla që edhe Bashkimi Evropian ta bëjë të njëjtën. Në korrik bëhen katër vite prej që Komisioni evropian ka propozuar liberalizimin e vizave për herë të dytë”, ka deklaruar Kurti.

Më tej Kurti ka bërë të ditur, se Kosova është mbështetëse e Procesit të Berlinit dhe tregut të përbashkët rajonal, e assesi iniciativave të cilat janë paralele.

“Procesi i Berlinit i ka katër liritë prandaj edhe nuk mbështesim iniciativat e tjera paralele. Për Kosovën është e rëndësishme që qytetarët të jenë përfituesit më të mëdhenj”.

Kurti në fjalimin e tij ka folur edhe për suksesin njëvjeçarë të qeverisjes së tij.

“Kosova vitin e kaluar ka pasur rritje ekonomike, të hyrat tatimore janë rritur. Buxheti është rritur dhe eksportet janë rritur, janë rritur edhe investimet nga Gjermania”.

Ballkani i Hapur, është i panevojshëm

Për Kurtin, Evropa është e ardhmja e Kosovës, dhe se sipas tij të gjitha iniciativat janë të mirëseardhura kur në to merr pjesë BE-ja.

“Të gjitha iniciativat e tjera paralele të cilat dëshirojnë ta hapin Ballkanin për fuqitë nga Lindja ose Verilindja, ne nuk i mirëpresim dhe konsiderojmë që janë të panevojshme”, tha ai.

Ne nuk jemi të frikësuar, por jemi vigjilentë

Në Ballkanin Perëndimor, sipas Kurtit, ka faktorë që i dirigjon Kremlini e që janë edhe shtetërorë edhe shoqërorë dhe që paraqesin rrezik për paqen dhe sigurinë.

“Ne nuk jemi të frikësuar, por jemi vigjilentë. Jemi të kujdesshëm edhe ndonëse Kosova nuk është ende në NATO, NATO-ja është në Kosovë, ndonëse Kosova s’është në Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian është në Kosovë. Ne nuk kemi alternativë përveçse BE-së dhe NATO-s dhe do ta mbrojmë vendin tonë dhe progresin tonë nga çfarëdo rreziqesh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore