Lajme

Kurti kërkon nga Sllovakia njohjen e pavarësisë së Kosovës


Albin Kurti dhe Ivan Korçok

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Ivan Korçok, në margjinat e Forumit GLOBSEC në Bratislavë, me ç’rast ka kërkuar nga ky i fundit njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Sllovakia.

Gjatë takimit, Kurti dhe Korçok, kanë diskutuar edhe për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

“Me Korçok diskutuam përafrimin e vendeve tona me të gjitha demokracitë e tjera për sanksionimin e Rusisë. Theksova nevojë që Sllovakia t’i bashkohet shumicës dërmuese të vendeve të BE-së dhe NATO-s në njohjen e Kosovës”, ka shkruar Kurti në rrjetin e tij social në Twitter.

Kurti të premten është takuar edhe me Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin kanë diskutuar çështjen e dialogut dhe temat e tjera rajonale.

Kurti, në kuadër të Forumit GLOBSEC, ka qenë pjesëmarrës edhe në një panel diskutimi me temën “Tani ose kurrë – Duke zhbllokuar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor”, ku me ç’rast ka potencuar se pala kosovare është pala konstruktive në procesin e dialogut.

Sipas tij thelbi i problemit në procesin e dialogut është jo-konstruktiviteti i Serbisë dhe sidomos mohimi i krimeve të luftës dhe gjenocidit, të cilat i ka kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Në procesin e dialogut kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ. Fatkeqësisht Serbia po thotë se nuk do të na njohin kurrë dhe përtej kësaj as nuk i marrin parasysh dhe nuk i njohin krimet e kryera në të kaluarën, që të jem i sinqertë kjo e dyta na ofendon më shumë se ajo e para”, ka thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore