Lajme

Kurti ia mundësoi Vuçiçit fitoren në zgjedhje, pretendon Grenell


Richard Grenell

Ish-Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, pretendoi se gabimet e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, mundësuan që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, të fitojë bindshëm në zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë.

Grenell, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën në mbrëmje, menjëherë pas publikimit të rezultateve preleminare të zgjedhjeve qendrore, tha se në fitoren bindëse të listës së Partisë Progresive Serbe (SNS) kontribuoi edhe “menaxhimi i krizës” së krijuar në veriun e Kosovës, siç e cilësoi ai, nga “lideri ekstremist”, duke iu referuar kreut të ekzekutivit kosovar.

“Unë po dëgjoj shumë prova që pretendojnë se të pavarurit dhe pensionistët në Serbi në fund votuan për SNS-në sepse Vuçiç e trajtoi shumë mirë liderin ekstremist të Kosovës. Kur komuniteti ndërkombëtar e dënoi Kurtin në mënyrë universale, atyre iu pëlqeu mënyra se si Vuçiç e menaxhoi krizën. Kurti krijoi probleme dhe radikalizmi ishte një çështje kryesore”.

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor të dielën, por rezultatet preliminare të zgjedhjeve sugjerojnë se presidenti serb do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin në Serbi – rezultatet preliminare sugjerojnë fitore bindëse për SNS-në, megjithëse janë raportuar një numër i parregullësive gjatë procesit të votimit.

Lista e partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, fitoi rreth 47 për qind të votave apo 129 mandate në Parlamentin e Serbisë, sipas sondazheve të organizatës Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), kurse koalicioni opozitar liberal “Serbia kundër dhunës”, fitoi rreth 23 për qind të votave apo 63 ulëse në legjislativin e ri të Serbisë.

Fitorja e rehatshme e SNS-së vjen në dritën e premtimeve për avancimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE), ndërsa kultivon lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën. Gjithashtu, fitorja e partisë  së Vuçiçit erdhi në një kohë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në përgjithësi, besimi i qytetarëve serbë ndaj SNS-së vetëm e konfirmon se perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia nën regjimin e Vuçiçit do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, marshoi sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore