Lajme

Kurti i shkaktoi vetë masat, tash i vajton – “kjo është tallje me popullin”


Ilustrim: Albin Kurti

“Kokëfortësia” e Albin Kurtit në emër të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit në Veri të vendit e vendosi Kosovën për herë të parë nën regjimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Rreth dy muaj më vonë Kurti pranoi se masat shtrënguese po e dëmtojnë vendin në aspektin socio-ekonomik.

Për publicistin dhe filozofin, Shkelzen Maliqi, deklarata e kryeministrit të Kosovës dhënë së fundmi për prestigjiozen amerikane, Bloomberg, rreth impaktit që po shkaktojnë masat e BE-së ndaj Kosovës ka elemente të talljes meqë ai dhe pushteti aktual mendojnë se nuk kanë kontribuuar asgjë për vendosjen e masave.

“Me deklaratën e tij Albin Kurti, nuk i referohet çështjes nëse dhe sa ka gabuar vetë me strategjinë dhe taktikat e tij, çka do të thotë se nuk ka reflektuar mirë mbi procesin dhe pse jemi nën sanksione. Ai vetëm pranon se sanksionet tashmë kanë treguar efekt, po e lëndojnë Kosovën si shtet, janë të goditura planet e agjencive qeveritare, dhe për herë të parë qahet edhe se është duke u dëmtuar komuniteti i bizneseve tona”, thotë Maliqi për Albanian Post.

Sipas Maliqit Kurti, i cili vetë rezistoi për të de-eskaluar situatën dhe rrjedhimisht u bë shkas i vendosjes së masave shtrënguese ndaj Kosovës, nuk e ka thënë asnjë fjalë deri më tash për fajin që e ka në këtë çështje.

“Nëse do ta bënte këtë, do ta rrënonte edhe platformën populliste mbi të cilën arsyetoheshin veprimet e qeverisë së tij, ku edhe e gjente burimin arroganca e pashembullt e një shteti në ndërtim dhe ende i papërfunduar, në raport me vendet e Perëndimit, që e kanë konceptuar dhe ndihmuar krijimin e shtetit të Kosovës, të cilit shtet Kurti i dilte me vite kundër gjatë të gjitha fazave të ndërtimit të tij”, shton Maliqi për AP.

Maliqi gjithë në këtë mes thekson se Kurti besonte se strategjia njëvjeçare e tij për të zhvilluar politika sovrane shtetërore – nga të cilat hiqte dorë më pas –  pa u koordinuar me BE-në, SHBA-të dhe NATO-n në raport me dialogun me Serbinë, të cilat sollën edhe sanksionet serioze ndaj Kosovës, do ta demaskonin fytyrën e vërtet të Beogradit dhe regjimit të Vuçiç-it atje.

“Në të vërtetë, pasi që masat e ‘sundimit të ligjit’ të Qeverisë Kurti shkaktonin krizat në terren, ai bënte si me zor tërheqjet e detyrueshme taktike, duke iu bindur kërkesave të aleatëve, por sikur besonte se me këto taktika, përkundër qortimeve, po arrihet edhe efekti i demaskimit dhe komprometimit të Beogradit dhe të serbëve ekstrem në Veri të Kosovës, sepse reagimet e tyre do të duhej të shiheshin si rrezik për eskalim dhe luftë, krahas masave të Qeverisë që ai i quante implemnentim i standardeve të demokracisë së avancuar”.

“Madje, kryeministri Kurti sikur ka menduar se përleshja e nxitur e serbëve radikalë me forcat e KFOR-it, që u sollën për të vendosur rendin në momentin më kritik, do të sjell favor Kosovës. Me retorikën e tij Kurti thoshte se ‘Qeveria jonë po merr masa demokratike të sundimit të ligjit në Kosovë, kurse Beogradi dhe radikalët serb e duan luftën në Kosovë’. Prandaj akuzonte të gjithë kritikuesit e tij, para se gjithash Edi Ramën dhe liderët evropian, por edhe sekretarin e shtetit të SHBA-ve Blinken-in, se janë politikisht naiv, duke mos e kuptuar se çka përfaqëson Serbia dhe Aleksandar Vuçiç”.

Shkelzen Maliqi

Kësisoj Kurti, beson Maliqi, së shpejti do të jetë në lëkurën e Hashim Thaçit në dy javët e fundit të Konferencës së Rambujes.

“Qeveria Kurti e ka edhe një ballafaqim me ofensivën diplomatike për përfundimin e dialogut me Serbinë, ku Kurti është zotuar për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nëse është i sinqertë, do të duhej të reflektonte mbi obligimet, realizmin e të cilave i ka marrë përsipër. Së shpejti ai do të jetë në lëkurën e Hashim Thaqit në dy javët e fundit të Konferencës së Rambujes kur edhe Kurti vetë ishte pjesë atyre forcave të UÇK-së që e kërcënonin me jetë nëse nënshkruan marrëveshjen. A do ta ketë Kurti guximin e Hashim Thaçit?”.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të instaluar në zyrat e tyre kryetarët e katër komunave veriore kishte hasur në kundërshtim të ashpër të serbëve lokalë – të cilët janë shumicë në këtë zonë.

Situatë më e tensionuar kishte ngjarë të hënë e 29 majit – ku protestuesit e dhunshëm serbë kishin sulmuar ushtarët e KFOR-it.

Si pasojë kishin mbetur të lënduar dhjetëra trupa të misionit paqeruajtës, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata kishte agravuar edhe më tej më 14 qershor, pasi që xhandarmëria serbe kishte kidnapuar tre policë të Kosovës, të cilët u liruan vetëm pas presionit të madh ndërkombëtar.

Për tensionimin e situatës në Veri, bashkësia ndërkombëtare e kishte fajësuar Kosovën, madje të njëjtit kishin vendosur masa ndëshkuese ndaj Prishtinës, kjo për shkak të refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri.

Kosova do ta pranonte vetëm pas masave ndëshkuese planin e de-eskalimit – i cili kishte kohë që ishte propozuar nga BE-ja dhe mbështetej nga SHBA-ja.

Kjo kishte ndodhur me 10 korrik në takimin në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimit, me Emisarin Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, në Bratislavë të Sllovakisë.

Në marrëveshjen e publikuar nga qeveria me 11 korrik, bëhej me dije se Kosova kishte pranuar reduktimin e njësive policore në dhe rreth objekteve komunale në Veri të vendit, dhe ishte pajtuar që atje të mbahen zgjedhje të reja, kjo pas atyre të 23 prillit, të cilat ishin bojkotuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore