Lajme

Kurti i pikëlluar për Sassoli-n: Ishte mik i Kosovës, do na mungojë tmerrësisht shumë


Albin Kurti dhe David Sassoli

Vdekja e presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli-t e ka merituar “jashtëzakonisht shumë”, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Ishte mik i Kosovës”, shkroi Kurti, pos tjerash, në llogarinë e tij në Twitter, për politikanin italian.

“Jemi të trishtuar të mësojmë se ka ndërruar jetë David Sassoli, presidenti i Parlamentit Evropian dhe miku i Kosovës”.

Për kryeministrin kosovar, Sassoli ishte “një njeri që më të vërtetë solli vlera evropiane brenda institucioneve të Bashkimit Evropian”.

Duke përfunduar, Kurti shkruan se “do na mungojë tmerrësisht shumë”.

 

Vdekja e Sassoli-t

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, në moshën 65-vjeçare, është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të 11 janarit.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i tij për shtyp, teksa ka shpjeguar se ish-gazetari i qendrës së majtë në Itali, kishte qenë në gjendje të rënduar shëndetësore për më shumë se dy javë dhe kishte anuluar të gjitha angazhimet e tij politike.

Për shkak të komplikimeve me sistemin e tij imunitar, Sassoli ishte pranuar në një spital italian muajin e shkuar.

Roberto Cuillo, zëdhënësi i tij, tha se shuarja e presidentit kishte ndodhur gjatë gjumit, në spitalin onkologjik të Aviano-s.

Në shtator, Sassoli kishte pasur të tjera ndërlikime shëndetësore, kur u shtrua në një spital në Strasbourg për simptoma të rënda pneumonie.

Ai më pas, iu rikthye aktivitetit politik në nëntor.

Një votim për të zgjedhur pasardhësin e tij ishte planifikuar të enjten e 20 janarit, duke qenë se vetë ai e kishte shpjeguar më parë se nuk do të kërkonte rizgjedhjen. Tashmë, ky proces bëhet i detyruar për shkak të humbjes.

Mandatin e Presidentit të PE-së, ai e mori në qershor 2019, teksa ky rol, cilësohet si një ndër më të lartët në rangjet e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore