Lajme

Kurti: Gëzojmë besimin e 56% të qytetarëve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar qeverisjen e tij gjatë këtyre 2 viteve e gjysmë, dhe këtë e ka bërë duke iu referuar raporteve ndërkombëtare, të cilat thotë se kanë qenë tregues të zhvillimit të Kosovës në shumë fusha.

Përmes një shkrimi në Facebook, të titulluar “dy vjet e gjysmë qeverisje, përmes objektivit ndërkombëtar”, Kurti ka thënë se “Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah”.

Sipas Kurtit, s’ka raport kredibil ndërkombëtar që nuk e ka njohur “përparimin tonë në demokraci, në të drejtat e njeriut, luftim të korrupsionit, sundim të ligjit, dhe qeverisje të mirë këto dy vjet e gjysmë”.

Fillimisht ai iu referua raportit të Bashkimit Evropian për Vendin i vitit 2022, për të cilin theksoi se “ishte më i miri që ka pasur Kosova deri më tani”, duke shtuar se aty “nuk kishte asnjë fushë pa progres të shënuar dhe asnjë fushë me regres të evidentuar”.

“Transparency International në Indeksin e tyre të Perceptimit të Korrupsionit na ka renditur për 20 vende më lartë. Sivjet jemi në pozitën më lartë që kemi mbajtur ndonjëherë. Për 22 vende më lartë jemi renditur në Indeksin e Lirisë së Medieve, sipas Reporterëve pa Kufij”.

“Në vitin e parë të qeverisjes kishim shënuar përmirësim rekord brenda një viti, duke u ngritur për 17 vende, kurse në vitin e dytë kemi arritur renditjen më e lartë ndonjëherë në këtë indeks. Pra, përmirësim i dyfishtë”, shtoi.

Kreu i ekzekutivit kosovar iu referua edhe raportit të Freedom House i këtij viti, për përmirësimin e të drejtave politike dhe lirive civile, i cili e ka renditur Kosovën “të parën në Ballkanin Perëndimor të dytën në Evropë dhe të tretën në botë”.

“Për nga përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, të dytët në botë na rendit edhe raporti i Projektit të Drejtësisë Botërore, i cili për të dytin vit me radhë të qeverisjes sonë, e nxjerr Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor”.

Tutje, ai pohoi se Kosova ka dalur e para në Ballkanin Perëndimor për Demokraci Elektorale, edhe sipas vlerësimit të Institutit V-Dem.

“Njashtu edhe sipas raportit të vitit 2022 të Fondit Ndërkombëtar Monetar për sa i takon rritjes së grumbullimit të të hyrave, edhe atë pa ndryshuar politikat fiskale”.

“Ndërkaq, sipas Bankës Botërore, Kosova krahas pakos mbështetëse më të madhe (si përqindje e BPV-së) në rajon për qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, ajo pritet të ketë rritjen më të madhe reale ekonomike në rajon për tre vitet e ardhshme”.

Sipas Kurtit, projeksione të njëjtë ka edhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, “e cila thotë se vendi ynë pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor për këtë vit dhe vitin tjetër”.

“E një raport tjetër i Bankës Botërore, ai mbi Indeksin e Maturitetit të Teknologjisë, e ka ngritur Kosovën nga grupi C në atë B për fokus në qeverisje digjitale”.

Pas dy vjet e gjysmë në krye të qeverisë, Kurti thekson se ekzekutivi i tij, i cili kishte marrë mbështetjen e 50.2 për qind të qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, tani “gëzon besimin e 56% të qytetarëve, më të lartin në mesin e të gjithë qeverive të Ballkanit Perëndimor, sipas matjeve të Balkan Barometer 2023”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore