Kosova

Kurti fton qytetarët në besim: Të tjerët e vjelën shtetin, ne jemi ndryshe


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shumë biznesmenë e politikanë i kanë vjelë taksat e qytetarëve të Kosovës, prandaj edhe buxheti është dëmtuar rëndë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka folur me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në organizimin “Arritja dhe sfidat në prokurim publik në Kosovë”, që po mbahet në Prishtinë.

Por, siç shprehet ai, pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe formimit të qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, diçka e tillë më s’do të ndodhë, pra “korrupsioni s’do të mund të jetë i lidhur me qeverinë”.

“Nëse ndodh”, deklaron Kurti, “do të marrim masa të menjëhershme”.

“Masa ekstreme, sepse korrupsioni ka 0 tolerancë për ne”, shtoi Kurti, pa elaboruar shumë se cilat janë masat për të cilat po flet.

Kryeministri ka qenë më konkret kur ka folur për Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ka deklaruar se në “Prokurim publik duhet të jenë zyrtarë profesionalë dhe me integritet moral”.

“Nuk mjafton të kemi progres, progresi duhet të jetë i qëndrueshëm i pakthyeshëm. Duhet të hapen kontratat publike me përjashtim të atyre që kanë sekrete shtetërore. Nuk ka asnjë sekret afarist që nuk mund të publikohet i redaktuar”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-ve Nicholas Giaccobbe.

“Duhet të gjetur që publikimi të jetë i thjeshtë që qytetarët t’i shohin më lehtë. Nuk duhet të marrin pjesë në prokurimin publik kompanitë që operojnë në parajsa fiskale. Burimi kryesor i korrupsionit janë kontratat e korruptuara dhe favorizimi i bizneseve që janë të lidhur me njerëz të politikës”, deklaroi Kurti.

Derisa, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giaccobbe, që ka qenë i pranishëm në organizim, bashkë me drejtoreshën e e USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi, u është drejtuar të pranishmëve me disa fjalë që presidenti i tij amerikan i ka thënë rreth korrupsionit.

“Presidenti Joe Biden thotë që korrupsioni është rrezik kombëtar për të gjithë vendin. Institucionet e gjykatave nuk duhet t’u shërbejnë individëve, por interesit shoqëror. Ju keni sakrifikuar shumë për këtë vend dhe vetëm ju mundeni ta zhvilloni shtetin tuaj”.

Ai ka thënë se qytetarët kanë mjete të forta për të luftuar kundër korrupsionit, por që duhet të jenë aktivë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore