Lajme

Kurti: Familjet që investojnë në energji efiçiente përfitojnë subvencionim prej 45%


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar disa detaje lidhur me hapjen e aplikimit për masat e radhës për rritjen e efiçiencës të energjisë.

Kreu i ekzekutivit përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kjo masë do të lehtësoj investimet në shtëpi.

“Për t’ua lehtësuar investimet në shtëpitë tuaja me qëllim që të keni dimra më të ngrohtë e vera më të freskëta, falë përkushtimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe angazhimit të Fondit të Kosovës për Eficiencë të Energjisë nga sot kemi hapur thirrjen për masat e reja për rritjen e efiçiencës energjetike në shtëpitë private”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë se përmes këtyre masave të reja, qytetarët do të përfitojnë nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.

“Gjatë vitit të kaluar kemi subvencionuar 10,000 familje me 5 milionë euro për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje. Këtë vit kemi trefishuar buxhetin për pajisje dhe me 20 milionë do të investojmë në efiçiencë të shtëpive të banimit e ndërtesave shumë-banesore të destinuara për banim social”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ka deklaruar se subvencioni do të mbulojë 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5 mijë e 500 euro.

Sipas tij, për familjet ku shtëpia është bashkëpronësi e të dy bashkëshortëve apo në pronësi të gruas, subvencionimi arrin 50 për qind.

Nga e dita e martë të gjithë qytetarët e Kosovës, mund të aplikojnë për subvencionim të termoizolimit të mureve të jashtme, termoizolimit të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45% të vlerës së investimit, deri në 5 mijë e 500 euro.

Lajmin e kishte bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Tejet e lumtur që po lancojmë skemën e parë të institucioneve të Republikës së Kosovës për efiçencën e energjisë për sektorin rezidencial, e implementuar nga Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё dhe e mbështetur financiarisht nga Komisioni Evropian”, ka shkruar ministrja, të hënën.

Kosova është shteti i parë në rajon që ka themeluar Fondin për Efiçiencë të Energjisë – një mekanizëm financiar që do të mbështesë rritjen e efiçiencës në sektorin e shërbimeve publike, sektorin rezidencial dhe sektorin privat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore