Lajme

Kurti falënderon Policinë dhe AKI-n për parandalimin e një sulmi terrorist në Veri


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë për punën që po e bëjnë në ruajtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe në parandalimin e krimit e terrorizmit në pjesën Veriore të Kosovës.

Shefi i ekzekutivit, Kurti gjithashtu ka përshëndetur aksionin e fundit të Policisë së Kosovës dhe AKI-s përmes së cilit u zbulua një veturë, 100 metra afër objektit të Komunës së Zveçanit i mbushur me shumë armë, municion e pajisje të ndryshme ushtarake duke parandaluar sipas tij një sulm terrorist

“Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës ‘Severna Brigada’, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale ‘Mbrojtja Civile’”.

Sipas Kurtit sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara.

“Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Kosovës duke rrëmbyer tre zyrtarë të Policisë brenda territorit tonë më 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste”.

Sveçla: Nga Qeveria do të kërkoj që “Mbrojtja Civile” dhe “Severna Brigada” të shpallen organizata terroriste

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore