Lajme

Kurti është takuar me Hajdarin, por s’e kanë parë të arsyeshme të flasin për arrestimet


Albin Kurti është takuar këtë të premte me Rozeta Hajdarin, por ka zgjedhur të mos flas me të për arrestimet në Ministrinë e Industrisë, Ndëmarrësisë dhe Tregtisë, e cila u bastisë e iu arrestuan dy zyrtarë.

Kështu tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, duke deklaruar se takimi kishte të bënte me krejt diçka tjetër – diskutim mbi mbarëvajtjen e projekteve.

Prokuroria dërgon në mbajtje dy zyrtarët e MINT-it dhe biznesmenin Muharremi

“Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot një takim intern me kabinetin qeveritar, siç ishte planifikuar një javë më parë. Nuk ka të bëjë me zhvillimet e sotme”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje për portalin Telegrafi.

“Gjatë këtij takimi u diskutua mbi mbarëvajtjen e projekteve dhe progresin në përmbushjen e planit strategjik-operacional e të programit qeverisës”, tregoi Kryeziu.

Për arrestimet e dy zyrtarëve Hafiz Garës drejtor i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave dhe Irfan Lipovicës, drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, ka reaguar vetë Ministria me një deklaratë të shkruar.

Të arrestuarit dyshohen për keqpërdorimin e rreth 10 milionë eurove të rezervave shtetërore dhe MINT shkruan se “mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet, planin dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”.

Për shpjegime të mëtejme është paralajmëruar një konferncë për media e ministres Rozeta Hajdari.

Përkundër se për këto keqpërdorime janë publikuar edhe përgjime ku zyrtarë të ministrisë dëgjohen tek diskutojnë për parregullsitë e ndodhura në proces, Hajdari vazhdimisht ka mohuar keqpërdorimet.

Gjithçka filloi kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi të marrë një vendim që procedura e furnizimit me rezerva të jetë e fshehur.

Pos dy zyrtarëve, gjatë ditës së sotme është bastisur edhe shtëpia dhe është arrestuar miku i Kurtit, Ridvan Muharremi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore