Lajme

Kurti e Vuçiç takohen në Bruksel më 27 shkurt


Ilustrim

Të hënën e 27 shkurtit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut në Bruksel.

Kështu të paktën ka njoftuar përmes një komunikate për media Bashkimi Evropian.

“Të hënën me 27 shkurt Përfaqësuesi i lartë/Zëvendës Presidenti i Komisionit, Josep Borrell do të organizojë një takim në nivel të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të dialogut”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së.

Komunikata në fjalë njofton gjithashtu se Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

“Përfaqësuesi i lartë, Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak, do të kenë takime të ndara me liderët për të vazhduar pastaj me takim të përbashkët. Takimi do të fokusohet në propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë” thuhet në njoftim.

“Po-ja” e Qeverisë, gjegjësisht, e kryeministrit Kurti, për planin franko-gjerman dhe sinjali pozitiv i dhënë nga presidenti Vuçiç, për propozimin në fjalë kishte “detyruar” të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të deklarojë se diskutimet tashmë “do të vazhdojnë në takime të nivelit të lartë”, pas një “Shuttle Diplomacy” disa mujore.

Shefi i Qeverisë, pas takimit me ndërmjetësuesin e bisedimeve, Miroslav Lajçak, javë më parë deklaroi se e ka pranuar propozimin e BE-së për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë që nuk e ka në qendër njohjen, por rregullon disa aspekte të tjera mes nënshkruesve sipas kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Kurti në rrjetin e tij social në Twitter.

Pas “Po”-së Kurtit, i pari i cili përgëzoi atë ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili në Twitter shkroi se “marrëveshja e përkohshme [propozimi franko-gjerman] do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media, tha se Serbia e ka të vështirë ta refuzojë propozimin franko-gjerman, sepse top-diplomatët evropiano-amerikanë që i shkuan në zyrë javë më parë ia bënë të ditura sanksionet e shumta me të cilat do të ballafaqohej.

“Po t’i kisha hedhur [planin franko-gjerman] dhe të thosha se nuk do të negocioja, regjimi ynë pa viza do të ishte hequr. Gjëja tjetër që do të na ndodhte është që nuk do të kishim më investime dhe investitorët do të tërhiqeshin”, kishte thënë Vuçiç, duke shtuar se ai nuk do të pranonte të ishte presidenti që udhëheq një vend të izoluar.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces.

Kosova insiston në njohje reciproke.

Ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore