Lajme

Kurti e sqaron premtimin e vitit 2019 për uljen e çmimit të rrymës: E kam pasur fjalën për 4 vjet, jo për vitin e parë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet shtrenjtimi i rrymës në Kosovë, e ka sqaruar premtimin e tij të dhënë në fushatën zgjedhore të vitit 2019 – ku kishte thënë se do të synojë uljen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët-  duke potencuar se “në një fushatë zgjedhore nuk jepen as zotime as premtime për vitin e parë qeverisës, por për katër vitet e ardhshme”.

“Me siguri ne e synojmë uljen e çmimit të energjisë por duhet ta keni një gjë parasysh në një fushatë zgjedhore unë nuk jap as zotime dhe as premtime për vitin e parë, por për katër vitet e ardhshme”, ka thënë Kurti.

Sipas tij kritikat e shumta që i bëhen qeverisë së Kurtit bëhen sikur ekzekutivi i drejtuar nga ai të ishte në përfundim të mandatit të tij.

“Është vetëm viti 2022, ka mundësi që këta 10 muaj ua janë dukur shumë gjatë opozitës, nuk jemi në përmbyllje të mandatit jemi në fillim të mandatit ende nuk është bërë as një vit i mandatit tonë dhe ju kërkoni prej nesh që ne të realizojmë premtimet tona katër vjeçare biles edhe atë të fushatës së vitit 2019”, ka shtuar ai.

“Shikoni me çfarë standardi na matni neve, kundërshtarët tanë i kanë pritjet ma të mëdha se sa votuesit tonë, votuesit tonë po kërkojnë që ne të realizojmë premtimet tonë për katër vjet e opozita për 10 muaj”, ka përfunduar ai.

I pari i ekzekutivit i është drejtuar deputetëve të opozitës duke ju bërë të qartë se ai nuk është magjistarë e si rrjedhojë nuk mund ta zgjidh çështjen e energjisë elektrike.

“Duhet të jesh magjistar, asgjë më pak se magjistar që të besosh se ka një zgjidhje për energjinë elektrike pa subvencion, pa shtrenjtim dhe pa shkyçje. Unë magjistar nuk jam, jam veç kryeministër, për fatin e keq tuajin”, deklaroi ai.

Përveç kësaj, Kurti po ashtu sqaroi se ai nuk po e fajëson opozitën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe se kjo nuk ka fajtor të brendshëm.

Kryqeveritari ka sqaruar edhe deklaratën e tij, se “qytetarët mund të fantazojnë, por ka dy opsione – reduktime të rrymës ose rritje të çmimit”.

Kurti në debatin për shtrenjtimin e rrymës, është sqaruar edhe për deklaratën tjetër, “se aq lirë ka qenë energjia elektrike, sa qytetarët s’kanë ditur sa paguajnë”.

Kryqeveritari ka sqaruar edhe deklaratën e tij, se “qytetarët mund të fantazojnë, por ka dy opsione – reduktime të rrymës ose rritje të çmimit”.

Kurti në debatin për shtrenjtimin e rrymës, është sqaruar edhe për deklaratën tjetër, “se aq lirë ka qenë energjia elektrike, sa qytetarët s’kanë ditur sa paguajnë”.

“Unë s’po them që shumica e qytetarëve nuk e dinë sa është fatura, por po themi se numër më i madh I qytetarëve që nuk e kanë ditur sa është fatura mujore, keni pasur në katër vjetët e fundit. Numri më i madh është në këto katër vjetët e fundit, s’po them shumica as të gjithë”, ka deklaruar ai.

“Më tutje, unë kam mirëkuptim për dëshirat, besoj që njeriu është subjekt i dëshirës, ne jemi ata që jemi si njerëz dhe për shkak që dëshirojmë, mirëpo as subvencion, as shkyçje, as shtrenjtim, është regjistri i fantazisë. Fantazia nuk është zgjidhje, unë po iu ftoj të zbrisni në tokë dhe të diskutojmë. Ju mund ta përfytyroni një botë të tillë, ku s’ka as shkyçje, as shtrenjtim e as subvencion, por ajo është fantazi – nuk është realitet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore