Lajme

Kurti e ka takuar fshehur Trëndafilovën, ajo ia mban gjallë narrativen për luftën – thotë Molliqaj


“Kurti, është shërbyes i Gjykatës Speciale”, ka thënë thënë kryetari i Partisë Social-Demokrate, Dardan Molliqaj.

Sipas Molliqajt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar fshehtas me kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, teksa kjo e fundit ka qëndruar për vizitë në Kosovë.

“Takimi i fshehur larg publikut është përpjekje e dëshpëruar për legjitimim të kësaj vizite. E ka takuar sepse kjo gjykatë po ia mbanë gjallë narrativen për luftën”, ka shkruar në Facebook Molliqaj.

“Pas mesazhit të qartë që qytetarët ia dhanë Trëndafilovës, që n’Kosovë do ta presim veç me protesta, Kurti po përpiqet ta normalizojë atë”.

Molliqaj ka theksuar se qytetarët e shumtë që ishin mobilizuar për protestë, e detyruan Gjykatën që të dorëzohet nga synimi i saj që t’bëjë propagandë.

“Ndërsa Kurti, përkundër vullnetit qytetar, e paska ngushëlluar atë, duke i garantuar që Qeveria e tij ia njeh legjitimitetin dhe ia pranon vizitat e propagandën”.

Sipas tij, shumë shpejt do t’i tregojnë edhe Kurtit edhe Gjykatës Speciale që qytetarët e duan dhe besojnë në luftën e vet çlirimtare.

Ndryshe Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës së re të krijuar lidhur me protestat e paralajmëruara kundër aktivitetit me shoqërinë civile të mërkurën në Gjilan, me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, por të martën u vendos që aktiviteti të zhvillohet përmes internetit.

Sipas njoftimit, kryetare Trendafilova deklaroi se “mandati i Dhomave të Specializuara është administrimi i drejtësisë në mënyrë të drejtë, të pavarur, të sigurt dhe të paanshme”.

Ajo theksoi se ndodhet në Kosovë për të biseduar me njerëz për punën e Dhomave të Specializuara në mënyrë transparente dhe të saktë, siç e ka bërë në disa raste më parë, dhe për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të kenë njerëzit.

Sipas Kryetares Trendafilova “një shkëmbim i tillë mund të zhvillohet vetëm në një mjedis të sigurt dhe konstruktiv”.

“Prandaj, në interes të sigurisë publike, u mor vendimi që kjo veprimtari të zhvillohet përmes internetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore