Lajme

Kurti: Deklarimi i pasurisë do ta ‘ndalojë’ historinë e korrupsionit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se si përgjigje ndaj historisë me korrupsion në Kosovë, Qeveria ka miratuar projektligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave.

Ai ka akuzuar zyrtarët shtetëror duke thënë se “të shumtë janë pasuruar në mënyrë të pajustifikuar e të paligjshme”.

Andaj, Qeveria në mbledhjen e fundit sipas tij ka marrë vendime të atilla që, avancojnë edhe më shumë kornizën ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të parasë publike.

Kurti ka thënë se në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut është themeluar Grupi Koordinues Ndërinstitucional për të Drejtat e Njeriut me qëllim të ruajtjes, garantimit dhe promovimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Në përmbyllje të fushatës 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, në zbatim të Programit për kompensim të viktimave të krimit, miratuam Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, nga i cili do të përfitojnë edhe viktimat e dhunës në familje”, ka shkruar ai.

Në mbledhjen të 47-të të Qeverisë së Kosovës është miratuar edhe marrëveshja për përmirësimin e efikasitetit të sistemit të asistencës sociale.

“Mundësuam kufizimin e përmbarimit në të hyrat nga pakot emergjente apo masat specifike të miratuara nga Qeveria, për rrethana të jashtëzakonshme apo emergjente, siç janë pandemitë apo fatkeqësitë natyrore, në të ardhurat për pensionin deri në pjesën që e tejkalon shumën e pagës minimale, si dhe të ardhurat në bazë të shtesave për fëmijë”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje në postimin e tij në Facebook ka thënë se është emëruar edhe Sekretaria e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë, që ky komision të jetë i plotë dhe funksional.

“Shërbimet nga fusha e mjekësisë ligjore do të mbulohen në mënyrë institucionale, duke eliminuar praktikën e dëmshme të kompensimit për kryerjen e ekzaminimeve mjeko-ligjore pa bazë ligjore, e cila e ka dëmtuar buxhetin e institucioneve të drejtësisë, në shumën afër 840 mijë euro”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore