Lajme

Kurti: Çështja e të zhdukurve nuk pret, me Serbinë nuk hapim tema tjera


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë të përbashkët me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çështja e të pagjeturve dhe të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, është tema e vetme që nuk pret në dialogun me Serbinë.

Ai në një konferencë për media ka thënë se takimet e dy ditëve të fundit të ekipeve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel janë takime përgatitore për dialogun që do të ketë kapitull të ri.

“Ka vetëm një temë që nuk pret, është çështja e të pagjeturve, e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Bashkë me zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka udhëtuar edhe udhëheqësi i delegacionit dhe Komisionit për të Pagjeturit, Andin Hoti, sepse nuk mund të presim për marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke brenda me Serbinë kur janë në pyetje familjarët e një mijë e 630 qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të pikëlluar që nuk i kanë të dashurit e tyre”, ka thënë Kurti.

Pas vizitës që ka zhvilluar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Kurti ka theksuar se aktualisht “mund të hapen tema diskutimi ndërmjet Kosovës e Brukselit por jo edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Për çështjet e tjera ne kemi dhënë propozimet tona që natyrisht nuk janë pranuar. Mund të hapen tema diskutimi ndërmjet Kosovës dhe Brukselit mirëpo jo edhe me Serbinë”, është shprehur Kurti.

Në anën tjetër, Kurti ka bërë të ditur se Kosova ka në stoqe 580 mijë vaksina Pfizer dhe 20 mijë vaksina AstraZeneca.

Sipas Kurtit, të premten e 10 shtatorit do të arrijë në një milion numri i vaksinave të administruara në Kosovë.

“Duhet të vazhdojmë me masat, i kemi edhe vaksinat e do të vijnë edhe më shumë vaksina, i inkurajoj të gjithë qytetarët që pa humbur kohë të vaksinohen pasi ky është një virus vdekjeprurës me rrezik të lartë e vaksinimi e ulë rrezikun për 20 herë. Pasnesër do të shënojmë administrimin e 1 milion dozave të vaksinës, me ç ’rast 2/3 kanë marrë një dozë ndërkaq përafërsisht 1/3 i kanë marrë të dy dozat”, u shpreh Kurti duke ftuar qytetarët që të vaksinohen.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se doza e tretë e vaksinës do të jetë në dispozicion për qytetarët e Kosovës vitin e ardhshëm.

Vitia ka thënë se nga ekspertët shëndetësorë dhe nga profesionistët në IKSHPK është bërë me dije se me gjasë do të ketë nevojë për dozë të tretë të vaksinës anti-COVID.

“Profesionistët nga IKSHPK-ja na kanë bërë me dije qartë në MSH se sipas gjitha gjasave do të kemi nevojë për dozën e tretë të vaksinave. Kemi filluar negocimin për sigurimin e dozës së tretë dhe do të jetë në dispozicion të qytetarëve të Kosovës vitin e ardhshëm”, ka thënë Vitia.

Sa i përket furnizimit me ilaçin remdesivir që nevojitet për pacientët me COVID-19, ka thënë se janë në përfundim të procedurave dhe se ilaçi do të jetë në klinika më së largu deri fillim të javës së ardhshme.

“Procedurat për remdesivir siç kam thënë, janë para përfundimit. Shpresoj deri në fund të javës të sigurohen. Nëse jo në fund të javës, atëherë në fillim të javës tjetër remdesiviri do të jetë në klinika tona”, ka thënë Vitia.

Po ashtu, Vitia ka treguar edhe për vendimin e MSH-së që punonjësit e administratës publike duhet të posedojnë kartelë vaksinimi, test PCR apo test serologjik për t’u paraqitur në vende të punës.

“Qysh në fillim të korrikut kemi hapur dritare për të gjithë punonjësit e administratës publike që të vaksinohen sa më shpejt. E edhe në javën e fundit ka qenë po e njëjta mundësi. Natyrisht punonjësit e administratës publike që posedojnë certifikatë vaksinimi, test PCR apo serologjik jo më të vjetër se një javë, mund të vijnë në vende pune”, shtoi Vitia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore