Lajme

Kurti: Buxheti për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 171-të të Qeverisë së Kosovës, ka bërë të ditur se buxheti i Republikës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Ky buxhet, sipas tij, është i tretë me radhë që po miratohet.

Kurti theksoi se me buxhetin e ri, i cili u dërgua në Kuvend për miratim, koeficienti i pagave për sektorin publik për vitin 2024 do të jetë 110 euro.

“Pra po i rrisim pagat në sektorin publik, ashtu siç kemi thënë”, tha ai duke shtuar se buxheti për paga parashihet të jetë “805 milionë euro, apo rreth 30 për qind më lartë sesa buxheti para 5 viteve”.

Me këtë buxhet, Kurti tha se kujdes dhe rëndësi të veçantë do të jepet mbrojtës dhe sigurisë.

“Prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë”.

“Buxheti për Ministrin e Brendshëm për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro dhe për ministrin e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro”.

860 milionë euro, sipas Kurtit, do të jetë buxheti për mbështetjen e investimeve të reja kapitale.

“Do të vazhdojmë mbështetjen për investime të reja kapitale për infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, në zona të reja ekonomike, diga dhe rrjete të ujësjellësit dhe në kapacitete të reja energjetike”.

Kurti ndër të tjera ka potencuar se është ndarë 744 milionë euro për Komunat e Kosovës.

Ai ka theksuar se edhe mbështetja për sektorin e arsimit do të rritet me rreth 20 për qind. Sipas tij për këtë sektor në vitin 2024 do të ndahen 370 milionë euro.

Kurti ka thënë se edhe shëndetësia do “të vazhdojë të jetë prioritet i tyre”. Për këtë sektor ai ka thënë se në vitin e ardhshëm do të ndahen mbi 340 milionë euro.

Buxheti ka thënë se është rritur edhe për sektorin e drejtësisë

Në fjalën e tij hyrëse, i pari i Qeverisë së Kosovës, ka folur, sipas tij, për arritjet e ekzekutivit për këto 2 vite e gjysmë qeverisje.

Kurti ka theksuar se që nga marrja e mandatit Qeveria aktuale është ballafaquar më shumë sfida globale se cilado Qeveri që nga paslufta.

“Për fatin tonë si Qeveri tri kriza globale me gjasa të vogla të ndodhin gjanë brenda një mandati dhe megjithëkëtë ja dolëm shumë më mirë sesa të tjerët na prognozonin. Menaxhuam pandeminë, tejkaluam krizën energjetike dhe mbështetëm qytetarët për t’u përballur me inflacionin”, theksoi ai.

Kurti beson se Qeveria të cilën udhëheq jo vetëm se ka menaxhuar me sukses këto kriza globale, por ka arritur që gjatë këtyre “viteve të vështira edhe të rrisim ekonomin edhe vendet e punës si asnjëherë më parë”.

Për këta 31 muaj të mandatit, thekson Kurti, ekonomisë janë shtuar 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja nën moshën 25 vjeçare.

“Asnjë qeveri para kësaj e madje edhe të gjitha ato marrë së bashku nuk kanë bërë kaq shumë masa mbështetëse për krijimin e vendeve të reja të punës”.

“Rritja e vendeve të punës po vazhdon e me ato edhe ekonomia dhe bruto produkti vendor që për herë të parë do të tejkalojë shifrën prej 10 miliardë euro në vitin që po vjen”.

E kjo, sipas tij, është gjithsesi diçka për t’u shënuar.

“Rritëm edhe të hyrat buxhetore, pa e ndryshuar asnjë politikë fiskale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore