Lajme

Kurti: Asociacioni s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese – bazat ushtarake serbe të largohen nga kufiri me Kosovën


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ka thënë se mund të ketë Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, por jo mbi baza etnike, pasi sipas tij, “Asociacioni nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë.

“Në mënyrën se si është në frymë dhe germën e saj, nuk do të njhiet. Duhet ta keni parasysh që në qendër të marrëveshjes për normalizim nuk është Asociacioni dhe nuk ka asnjë zyrtar amerikan që e thotë këtë gjë”, tha Kurti.

Kur ka folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ai ka thekuar se Serbia është ajo që nuk i pranon krimet që i ka kryer në Kosovë dhe refuzon që të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Presidenti Joe Biden e ka theksuar mirë që marrëveshja ligjore duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, unë jam pro një marrëveshje me njohje reciproke, Serbia është ajo që duhet të ndryshojë”, ka shtuar Kurti.

Por, ai ka potencuar se “përderisa Serbia thotë që kurrë nuk do t’ju njohim dhe presidenti serb thotë që masakra e Reçakut nuk ka ndodhur, atëherë këtu edhe ndodhet problemi që nuk e kemi një marrëveshje të tillë”.

“Neve na nevojiten marrëdhënie normale me Serbinë, por për këtë duhet të ndryshojë Serbia, Kosova është në rregull, dhe në këtë insistojmë dhe konsiderojmë që tash është koha që Ballkani Perëndimor të integrohet brenda BE-së. Serbia me këtë qasje po e shndërron veten si një Bjellorusi të Ballkanit dhe këtu SHBA-ja e ka rolin përfundimtar për ta ndryshuar Ballkanin për të mirë”.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka treguar se në takimet me rreth 20 senatorë dhe kongresistë amerikanë ka kërkuar që të largohen rreth 48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë serbe rreth kufirit me Kosovën.

Përveç kësaj kërkese, Kurti ka potencuar se në këto takime i ka treguar lidhjet e fuqishme që Serbia ka me Rusinë dhe se sipas tij, qendra humanitare ruse në Nish dhe zyra e Rusisë brenda Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd duhet të mbyllen.

“Në Shtëpinë e Bardhë unë u prita nga Jakob Sullivan, ku kam treguar lidhjet e fuqishme që Serbia i ka me Rusinë dhe në të gjitha takimet me senatorët kam kërkuar që të mbyllet qendra humanitare ruse në Nish, të mbyllet zyra e Rusisë brenda Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd dhe gjithashtu një zonë rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndodhen 48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë që janë ofensive të largohen prej aty”.

Sa i përket luftës në Ukrainë, ai ka thënë se një pjesë e vëmendjes së Perëndimit duhet të shtohet në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, pasi sipas tij, nuk ka javë që liderët në Kremlin nuk e përmendin Kosovën, të cilët e përdorin si shans që ta sulmojnë NATO-n.

Kurti është deklaruar edhe rreth takimeve të tij me investitorë të huajë në Kosovë, për çka tha se vizita e tij në SHBA po ndodhë për të filluar negociatat për marrëveshje me korporatën amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), e cila vlen mbi 200 milionë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore