Lajme

Kurti arsyeton rritjen e çmimit me një krahasim xhepash


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një intervistë në RTK, ka thënë se shtrenjtimi i rrymës nga Zyra e Rregullatorit për Energji është shumë ma i vogël për xhepin e qytetarëve sesa për paratë e tyre të përbashkëta.

“Energjia elektrike te ne është shtrenjtuar, por më duhet të them se te xhepi i qytetarëve kemi një shtrenjtim minimal. Shtrenjtimi është shumë më i madh në xhepin e shtetit sesa në atë të qytetarit, përkatësisht te subvencionimi”, tha Kurti.

“Kuleta e shtetit, paratë e së cilës janë të qytetarëve, e ka paguar shumë më tepër sesa xhepi i qytetarit dhe kjo më dhemb më shumë, sepse ato do të kishim mundur t’i përdorim në fusha të tjera për qytetarët tanë”.

Megjithëse ishte pro shtrenjtimit të rrymës, Kurti theksoi se “sa më shumë të kursejnë qytetarët, sepse në këtë mënyrë e kursejnë edhe xhepin e tyre edhe kuletën e shtetit”.

“Në kushtet kur ndodhesh në krizë ndërkombëtare dhe në kushtet kur konsumi është mbi dyfishin e gjenerimit, domosdoshmërisht duhet të bëjmë thirrje për kursim të energjisë. Ne e kemi pasur rrymën më lirë në krahasim me vendet tjera dhe ka mundur të jetë shumë më lirë sikur t’i kishim riparuar me kohë”.

 Kurti: Asociacioni s’është në përputhje me Kushtetutën

Kryeqeveritari ka potencuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe si është nënshkruar në Bruksel, nuk është në përputhje me asnjërën prej shtatë kapitujve të vet.

“Ne nuk mund të krijojmë diçka të re që na rrënon rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës. Le të mos harrojmë që nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të duhej të përfitojë Serbia si shtet, por duhet të adresohen nevojat e serbëve si qytetarë të Kosovës dhe ne nuk kemi ankesa nga serbët e Kosovës për të drejtat dhe nevojat e tyre”, tha Kurti

Kurti ka thënë se “unë kam qenë shumë aktiv në bisedimet e zhvilluara në Bruksel me presidentin e Serbisë – edhe më 14 qershor edhe më 19 korrik të vitit të kaluar”.

“Unë kam bërë propozime, njëri ka qenë për reciprocitetin e të drejtave të pakicave dhe kam marrë shembullin që Serbia ka në territorin e saj ku krijon këshillat nacionale për pakicat kombëtare dhe kemi thënë që nëse Serbia mjafton që kjo është e mjaftueshme për pakicat kombëtare po e zbatojmë edhe ne në Kosovë. Reciprociteti është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Është refuzuar”.

“Në anën tjetër kam propozuar edhe Deklaratë të Paqes për mossulmim. Duhet të flasim për paqe tash kur armatosjet e shteteve kanë filluar të bëhen lajm botëror dhe aq më tepër kur kemi parasysh agresivitetin e Federatës Ruse. Edhe kjo gjë është refuzuar. Nuk është e saktë të thuhet që vetëm Kosova po refuzon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Ai shtoi se Kosova e ka Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe gjithashtu e ka edhe në Kushtetutën e saj të normuar se çka janë të drejtat e komuniteteve joshumicë që janë sipas standardeve më të larta evropiane dhe shumë më tepër se aq.

Por, sipas tij, “është Serbia ajo që ka refuzuar propozimet e Kosovës. Ka refuzuar edhe Deklaratën e Paqes për mossulmim edhe reciprocitetin e të drejtave, pra në vitin e kaluar kemi refuzim të Serbisë dhe jo Kosovës”.

Kurti: Vettingu të fillojë nga lartë poshtë

I pari i egzekutivit foli edhe për procesin e Vettingut, duke shtuar se “Vettingu të fillojë nga lart poshtë”.

“Të mos merret me prokurorët dhe gjykatësit e niveleve bazike, por të fillohet prej atyre që janë lart sepse vetëm në këtë mënyrë të gjithë zyrtarët do të bëhen pjesë e vullnetshme e këtij procesi”.

“Padyshim që Vettingu nuk duhet të jetë një ngjarje e njëhershme por duhet të jetë një sistem që garanton qëndrueshmëri të zbatimit dhe ushtrimit të drejtësisë”.

Kurti ka theksuar se “unë pajtohem se ka pasur lëshime dhe defekte në Shqipëri. Por, kjo nuk do të duhej të na zmbrapste nga qëllimi ynë. Ne do të duhej të merrnim mësimet e lëshimeve dhe të mos i përsërisim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore