Lajme

“Kur të nis prokuroria të merret me ty, do të harrohet rasti i Martin Berishajt”, për çka e kishte fjalën Hajdar Beqaj kur akuzoi Rozeta Hajdarin?


Rozeta Hajdari, Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Deputeti Hajdar Beqa

Në seancën e thirrur nga Grupi Parlamentar i PDK-së për hartimin e një rezolute në të cilën përfshihen shkeljet e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, e më pas të kërkohet shkarkimi i saj, deputeti Hajdar Beqa adresoi akuza të rënda dhe të drejtpërdrejta për të, ani pse shumë prej tyre i la të mjegulluara.

“Me ta zbutë pak ‘lirimi nga detyra’ për tët mos thënë ‘shkarkimi’, i bën nderë vetes dhe vendit”, iu drejtua Beqa ministres Hajdari për të vazhduar më pas me akuzat se gjatë mandatit të saj si ministre në qeverinë Kurti I dhe Kurri II ka bërë afera të mëdha, të cilat i lënë në ujë ato të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.

“Kur po flet për të kaluarën e ministrave të kaluar, bindu që kur të fillon të merret me ty prokuroria, edhe ne kemi aq argumente, edhe kur ke qenë në mandat të qeverisë Kurti I e din ti shumë mirë, edhe në Kurti II, bindu që do të harrohet ‘afera e mikut tënd i cili pretendon se të ka bërë ty ministre’, do të harrohet afera e Martin Berishajt, bindu”, flet me shumë bindje deputeti Hajdar Beqaj nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Beqaj shprehet me po kaq bindje se ka prova të mjaftueshme – ai personalisht – se ministrja Rozeta Hajdari ka komunikuar me persona të dyshuar për përfitime në tenderë.

“Pikërisht kjo ministre ka shkruar sms, ka ndërruar emaila me disa investitorë dhe me disa zyrtarë të cilët sot janë nën dyshime për projekte në ndërmarrje publike. Dhe shpesh ka thënë që ‘unë e heq një zyrtarë për t’ia liruar vendin’ dhe mundësinë për të përfituar dikush – të cilin ia kanë rekomanduar kësaj (ministres) për të përfituar një tender të caktuar”, thotë Hajdari teksa e afron kokën edhe më shumë te mikrofoni i cili është i vendosur në foltore, nga frika se nuk po dëgjohej mjaftueshëm.

“Andaj, ministrja binduni që nuk është viktimë ashtu siç duket”, shprehet Hajdari, “ajo me të vërtetë është në lojë të thellë”.

“Unë edhe në telefon i kam faktet e argumentet që ka shkruar kjo (ministrja) nga Martin Berishaj, më lart e më poshtë”, përfundon Beqaj e bashkë me të edhe minutat e caktuara për të folur në foltoren e Kuvendit.

Pas këtyre akuzave, kur ministrja Hajdari mori fjalën nuk foli asgjë konkrete.

Ajo tha se në qeverinë Kurti I dhe II është ndalur “gjakderdhja financiare” në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, por nuk i komentoi fare akuzat e deputetit Beqaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore