Sport

Kur mosha është thjesht një numër, 69-vjeçari nga Suhareka fiton Detroit Marathon 2022


Si një atlet me mjaft eksperiencë, Elmi Gegaj nuk ka zgjedhur kurrë të heqë dorë nga sporti edhe pas pensionimit. Së fundmi, ai ka triumfuar në Detroit Marathon 2022. Një garë disi unike në botë, pasi zhvillohet nga SHBA drejt Kanadasë dhe e anasjellta, përmesë “Ambassador Bridge”.

Gara e gjatë 21.1 kilometër u përfundua nga Gegaj për kohën 1 orë e 48 minuta e 04 sekonda. Duke fituar pasi ishte vetëm 01 sekonda më i shpejtë se rivali i pozicionuar në vendin e dytë, Norio Minato.

69-vjeçari tregon për Albanian Post se fitorja e tij në Detroit nuk është e rastësishme, por si rezultat i një pune të përditshme, e cila fillon me “vrapim 10-15 kilometër në orën 6 të mëngjesit”.

Ndërsa, një muaj para çdo maratone që Gegaj merr pjesë, ai ndryshon stilin e stërvitjes, duke bërë vrapime “tre herë në javë nga 20-30 kilometër”. Sigurisht duke i shoqëruar këto dhe me “ushtrime ndihmëse”.

Maratona në Detroit ishte dhe një mënyrë e mirë, që një kampion të bënte të njohur vendin e tij. Gegaj, jo vetëm që vrapoi duke mbajtur flamurin e Kosovës, por arriti ta ngrinte lartë atë.

“Është një nga ndjenjat më të mira që isha pjesë e kësaj maratone interesante. Gjithashtu mundësia e prezantimit të flamurit të Kosovës në një maratonë me mijëra pjesëmarrës nga çdo vend i botës është një nder për mua”, thekson Gegaj.

Edhe pse vet nuk dëshiron të heqë dorë nga sporti, “ëndrra” e tij si ish-mësimdhënës dhe tani si ndihmës-trajner në klubin e Atletikës Theranda është që “të kemi më shumë të rinjë që përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare”.

Që nga viti 1999, 69-vjeçari ka qenë pjesë aktive, duke marrë pjesë në më shumë se 45 maratona në vende si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe SHBA-të. Ai është gjithashtu edhe nënkampion Ballkanik në 1800 metra, në garat Ballkanike në Korçë.

Megjithatë, ai ka ende dëshirë për të marrë pjesë në maratona të reja, të paprovuara më parë, por që janë elitë në sportin e atletikës, si ajo e “New York dhe Boston”. Dhe ai synon të jetë pjesë e tyre jo vetëm si garues, por dhe si një “ambasador i Kosovës në mbretëreshën e sportit siç është atletika”.

Më 23 tetor, në Shqipëri do të mbahet Maratona e Tiranës, një event i përvitshëm tashmë, në të cilin marrin pjesë rreth 2 mijë e 500 garues nga mbarë bota. Gegaj do të jetë pjesë e tyre.

“Mezi po e pres që të jem pjesë e Maratonës së Tiranës, si një ndër maratonat shumë mirë të organizuara. Unë kam qenë pjesmarrës në pesë maratonat e kaluara në Tiranë”, përfundoi 69-vjeçari prononcimin e tij për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore