Shqipëria

Kur do ndëshkohen grabitësit e thesarit të “Hijes së Korbit”?


Copëzat e qeramikës janë ato që i mbushin fushat e një qyteti antik në Shqipërinë juglindore.

Atje, grabitësit kanë bastisur malësitë e zonës në kërkim të antikave për t’ua shitur trafikantëve ndërkombëtarë.

Grabitësit e thesarit thuajse operojnë pa u ndëshkuar, duke shkaktuar zemërim midis arkeologëve mbi vjedhjen e trashëgimisë kombëtare të çmuar që ushqen një treg të zi global.

Qeveria ka deklaruar se po punon për ndërmarrjen e masave për të mbrojtur dhe ruajtur këto vende nga grabitësit, por deri më tani ka pak dobi.

Paçka se vjedhja e artefakteve arkeologjike konsiderohet krim, si në shumicën e vendeve.

Mbuluar me bimësi të egra, zona afër Korçës së sotme dikur ka qenë shtëpia e “Hijes së Korbit”.

I vendosur përballë një kodre, vendi është shkatërruar vitet e fundit nga grabitës të armatosur me lopata dhe shkopinj që kërkojnë metale dhe objekte të rralla.

“Ka njerëz nga të gjitha rajonet që nxitojnë për në këto vende”. Kështu ka pohuar Axhem Lageshtari, një banor i zonës.

Sipas tij, kudo ku ata gërmojnë, kërkojnë me “shpresën” për të gjetur ar, argjend ose sende të tjera me vlerë.

Zona ka fituar famë pas zbulimit të më shumë se 600 monedhave argjendi në vitet 1980, duke përfshirë disa që datojnë shekuj më parë nga sundimi i Aleksandrit të Madh.

Për ekspertët, gërmimet e paligjshme janë zbuluar thuajse në çdo vend të rëndësishëm arkeologjik në rajon, i cili është shtëpia e nekropoleve historike, kalatë dhe mbetje të tjera që datojnë nga epoka e bronzit deri në mesjetën e hershme.

“Problemi është veçanërisht shqetësues në ‘Hijen e Korbit’, një qytet i rëndësishëm arkeologjik që ende nuk është eksploruar nga arkeologët”, ka thënë drejtuesja e departamentit të parahistorisë në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, Rovena Kurti.

“Ata dëmtojnë vendin dhe plaçkitin trashëgiminë”, ka shtuar ajo.

Pafuqia

Ish-drejtoresha e misionit franko-shqiptar në Korçë, Cecile Oberweiler, ka nxjerrë një tjetër problem.

Ajo ka dalluar se grabitësit shpesh shkatërrojnë të dhënat shkencore dhe heqin objektet nga konteksti i tyre mjedisor, i cili është i nevojshëm për ekspertët për të kuptuar historinë e zonës.

Në verilindje të kryeqytetit, mbetjet e një kishe të shekullit të XI-të ose të XII-të janë shpërfytyruar me vrima të hapura të lëna nga grabitësit.

Kisha e Shën Mërisë duhej të mbrohej si një monument kulture i njohur, por kjo nuk i ka ndalur ata ta plaçkisnin zonën.

“Mund t’i japim çdo emër, por në të vërtetë, aktualisht është një gërmadhë dhe pre e grabitësve”, ka veçuar arkeologu Skender Muçaj.

Ekspertët janë të të njëjtit mendim se nuk është bërë mjaftueshëm për të ndaluar plaçkitjen nga aspekti ligjor.

Ndërkohë, Ministria e Kulturës ka deklaruar se po bëhen përpjekje për të luftuar “trafikimin e paligjshëm të pasurive kulturore”.

Ndër to përfshihet edhe një plan kombëtar veprimi i shpalosur në vitin 2018 së bashku me nismat për të përmirësuar koordinimin me organizatat ndërkombëtare.

Sy që s’shohin

Nuk ka asnjë vlerësim zyrtar për vlerën e tregut të objekteve të marra nga vendi.

Por studiuesit janë të sigurt se disa nga artefaktet kanë rënë në duart e trafikantëve ndërkombëtarë dhe më pas janë shitur në ankande në muze dhe koleksione private jashtë vendit.

“Është një luftë që Shqipëria nuk mund ta udhëheqë e vetme, përgjegjësia bie edhe mbi autoritetet e vendeve të tjera që mbyllin sytë kur këto objekte ekspozohen në muzetë e tyre”, ka ravijëzuar historiani i artit, Neritan Ceka.

Ndërkaq, arkeologu francez Pascal Darcque ka treguar se problemi është i përhapur dhe se muzetë shpesh nuk e marrin seriozisht procesin e verifikimit të objekteve për shitje dhe origjinën e tyre.

“Shitja e tyre duhet të bllokohet dhe nëse mund të përcaktohet origjina e tyre gjeografike, objekti duhet të kthehet”, ka sugjeruar ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore