Sport

Kupa e Italisë, sot mësohet gjysmëfinalja e dytë


Pas fitores së Milan me rezultat 4-0 përballë Lazio-s, u përcaktua gjysmëfinalja e parë e Kupës së Italisë, mes Inter-it dhe kuqezinjve.

Trofeu i dytë më i rëndësishëm në Itali, sot do të mësojë edhe dy emra tjerë që do të kompletojnë katër skuadrat gjysmëfinaliste.

Për dy vendet e fundit në katër më të mirat, do të luhen dy ndeshje gjatë 10 shkurtit.

Me fillim në orën 18:00, në Bergamo takohen Atalanta dhe Fiorentina.

Të parët, që nuk po kalojnë në formë shumë të mirë, përballen me Fiorentina-n e “lënduar” nga largimi i Dusan Vlahovic.

Në fakt, vendasit konsiderohen favoritë për këtë ndeshje, për shkak të historisë së ndërmjetme në vitet e fundit me Fiorentina-n.

Çfarë kjo ndeshje premton, është shumë gola, ashtu siç ka ndodhur në vitet e fundit.

Fituesi i këtij takimi, që fillon në orën 18:00, do të përballet me fituesin e takimit që fillon në orën 21:00.

Aty, përballen Juventus dhe Sassuolo.

Juventus në formë e pret në “Allianz Stadium” skuadrën e Sassuolo-s, me shpresën për të arritur fitore dhe për të shtuar shpresat për një titull këtë edicion.

Me Serie A-në që momentalisht duket shumë larg realitetit për Juventus-in, Kupa e Italisë shihet si mundësi e mirë për të shtuar ar në kabinetin e klubit.

Të dy takimet, nëse nuk kanë fitues brenda 90 minutave, iu drejtohen vazhdimeve – kurse nëse edhe atëherë nuk ka fitues, penalltitë do të vendosin fatin e ndeshjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore