Shqipëria

“Kuota gjinore në politikë”/ Linda Rama: Nepotizmi nuk është ekskluzivitet mashkullor


Bashkëshortja e kryeministrit shqiptar, Linda Rama zbuloi gjatë intervistës për Albanian Post temën që duhet të marrë më shumë vëmendje në debatin publik – pjesëmarrja e grave në politikë dhe qeverisje.

“Do të kisha dashur që kjo temë komplekse të merrte më shumë vëmendje në debatin publik, përtej përqendrimit në aspektet pa diskutim pozitive të ushtrimit të së drejtës së përfaqësimit dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë, sepse, qoftë drejtpërdrejtë në politikë, qoftë në nivelet e qeverisjes, fenomenet kanë treguar se nuk janë të ndara me gjini, nepotizmi nuk është ekskluzivitet mashkullor dhe as meritokracia nuk është garanci femërore”, u shpreh fillimisht Rama për AP-në.

Sipas saj, nëse deri dje kemi qenë në kushtet e nevojës së madhe për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë dhe qeverisje, duke përdorur madje edhe forma detyruese si kuotat gjinore, sot jemi në një situatë krejt ndryshe.

“Numri i grave në politikë dhe qeverisje apo në drejtimin e institucioneve kryesore është jo vetëm i lartë, por në jo pak raste e tejkalon numrin e burrave. Madje, tanimë ndihemi mirë në raport me një shumicë vendesh të tjera, të cilat, deri jo shumë kohë më parë, i shihnim nga poshtë në rangjet më të ulëta të klasifikimeve ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Rama mendon se kjo arritje shumë e dukshme numerikisht, e cila ka vendosur Shqipërinë në një situatë shumë të veçantë dhe plotësisht të ndryshme nga më parë, na ka dhënë gjithashtu mundësinë të depërtojmë përtej numrave.

“Ne kuptojmë se, nëse, nga një anë, kjo përmbysje ka të mirat e saj, nga ana tjetër, del se nuk është as çelësi magjik për të zgjidhur problemet e mëdha të kulturës së mangët demokratike dhe institucionale”, shpjegon ajo.

Bashkëshortja e kryeministrit reflekton se keqpërdorimi i pushtetit nuk mund të portretizohet shabllon, si të ishte veç burrë dhe morali i autoritetit apo dhe autoriteti moral, si koncept e praktikë, nuk portretizohet domosdoshmërish si grua.

I pari, vëren ajo, mbetet një kërcënim horizontal në çdo vakum të jetës institucionale, ndërsa e dyta një ambicie e kërcënuar nga lloj-lloj rrethanash dhe interferencash përgjatë vertikales së proceseve vendimmarrëse.

Kjo, pavarësisht se në majën e vendimmarrjes është një burrë apo një grua.

“Është pa gjini edhe arroganca e pushtetit – nënkupto mungesa e modestisë dhe shkelmimi i etikës, jo vetëm kur vjen në qeveri, po edhe kur pretendon të vish në qeveri. I tillë është dhe subjektivizmi në përdorimin e këtij pushteti përfaqësues pavarësisht nëse ke një karrige në legjislativ apo ekzekutiv”, garantoi Rama.

Për të, citimi i të tjerëve që në politikë kanë rëndësi parimet, morali, vlerat e qëndrueshmëria, kur e di që vetë mund të jesh në një borxh të madh me to, është njëlloj e papranueshme si për një burrë, ashtu dhe për një grua.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë të Linda Ramës për Albanian Post

Linda Rama, distanca higjenike nga fuqia e së keqes dhe mungesa e ndërgjegjjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore