Shqipëria

Kumtesa historike e bunkerëve të artifikuar


Bunkerët e Shqipërisë? Rikujtues të sundimit brutal, surreal dhe donkishotesk të Enver Hoxhës.

Se për pjesën më të madhe të shekullit të XX-të, vendi dominohej veç nga figura e tij.

Një partizan dogmatik i kthyer në diktator e që ka lënë një gjurmë të fortë, e cila është më e dukshme te bunkerët e famshëm që gjenden në çdo pjesë të vendit.

Kështu është nisur një shkrim i Emerging Europe, një platformë lajmesh e opinionesh.

Shkruhet se llogaritjet konservatore flasin për numrin e përgjithshëm të bunkerëve të ndërtuar në 173 mijë e 371, të tjera llogaritje e çojnë këtë drejt një shifre marramendëse, 700 mijë.

Dhe se për perspektivë, në kohën e vdekjes së Hoxhës në 1985-n, popullsia ishte më pak se 3 milionë.

Prandaj, ideja ishte që në rast të një pushtimi, e gjithë popullsia mund të mobilizohej për të mbrojtur vendin.

Bunkerët e rrumbullakët, të emërtuar si në formë kërpudhe, tregohet se janë të shpërndara nga fshatrat malore deri në bregdetin Adriatik. Madje, shumë u ndërtuan para pallateve, me pritjen që banorët t’i përdorin ato si pozicione luftimi.

“Këto shkonin në madhësi nga njësitë e vogla, të afta për të mbajtur një ose dy persona, të njohur si pozicionet e qitjes deri në postet më të mëdha komanduese të dizajnuara për të strehuar qindra njerëz”, tregon Emerging Europe.

Kjo duke ravijëzuar se shumica e bunkerëve janë ende në këmbë, duke qëndruar relike të izolacionizmit dhe paranojës që përcaktuan sundimin katër-dekadësh të Hoxhës.

Nuk mungon as shndërrimi i tyre. Disa në sallone tatuazhesh, restorante, pishina e të tjera edhe në shtëpi.

“Ndoshta më i famshmi, i njohur si Bunk’art, i vendosur në kryeqytetin e vendit, Tiranën, tani është një muze dhe galeri arti”, dallohet.

Dhe se në shumë mënyra, bunkerët janë thurur në strukturën e Shqipërisë moderne dhe tani janë një nga kuriozitetet kryesore që tërheqin turistë në vend.

Vendi vetmitar

Mirëpo, shpjegohet se një pjesë të madhe të arsyetimit për programin e bunkerizimit e ka siguruar përvoja e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore.

Për këtë, rrëfehet se:

“Ushtria e vogël shqiptare ishte mundur lehtë nga Italia fashiste gjatë pesë ditëve në 1939-n, duke çuar në aneksimin e Shqipërisë në Perandorinë Italiane jetëshkurtër.

Një përzierje e komunistëve dhe nacionalistëve i rezistoi pushtimit fashist. Hoxha ishte midis këtyre partizanëve dhe lufta krijoi obsesionin e tij mbi dobinë ushtarake të një popullsie plotësisht të mobilizuar.

Hoxha u bë udhëheqësi i Shqipërisë menjëherë pas çlirimit të vendit në 1944-n.

Dekadat e tij të para në pushtet panë përparim të konsiderueshëm social dhe ekonomik, u bënë hapa të mëdhenj në të drejtat e grave dhe vendi filloi rindërtimin.

Emerging Europe vijon se Hoxha shpalli armiqësi të hapur me të dy fqinjët.

Ai, si një admirues i Joseph Stalin, ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik për atë që ai e konsideroi si “revizionizëm” gjatë sundimit të Nikita Khrushchev, duke shtuar një tjetër pushtues të mundshëm në listën e tij të ushqyer me paranojë.

Ai ishte bërë në mënyrë efektive armik i NATO-s, Traktatit të Varshavës dhe ish Jugosllavisë.

Paranoja dhe vetë-mjaftueshmëria

Në shkrim shpjegohet se si i tillë, i ushqyer nga paranoja dhe obsesioni i pangopur me vetë-mjaftueshmërinë kombëtare, Hoxha e bazoi doktrinën ushtarake të Shqipërisë rreth një popullsie plotësisht të mobilizuar.

“Burrat që përfundonin shërbimin e tyre ushtarak të detyrueshëm, do të merrnin pushkët e shërbimit me vete në shtëpi (natyrisht pa municion) dhe afërsisht një e katërta e të gjithë popullsisë së vendit në çdo kohë të caktuar ishte ose në shërbimin aktiv ushtarak, në rezervat ose në milicitë e të rinjve”, shtohet.

Dhe se bunkerët u bënë një gur themeli i kësaj doktrine. Sidoqoftë, jo pa polemika. Numri i madh i bunkerëve të ndërtuar gjatë një periudhe 20 vjeçare (kryesisht gjatë viteve ‘70) nënkuptonte se ishin shpenzuar miliarda dollarë.

Jepen edhe shifra të tjera. Se 100 punëtorë vdisnin çdo vit në ndërtimin e bunkerëve e për më tepër, angazhimi i tyre aktual ushtarak ishte gjithmonë i diskutueshëm.

“Gjenerali Beqir Balluku, asokohe ministër i mbrojtjes, u ekzekutua në 1975-n për kundërshtimin e zërit të programit dhe argumentimin se Shqipëria do të shërbente më mirë me një ushtri më të vogël, por profesionale dhe të pajisur mirë, në vend të një ‘ushtrie popullore’ të armatosur dobët”, tregohet.

Nuk lihet në hije as një fjalim i tij i vitit 1974, kur shprehu besimin se vetë bunkerët ishin jopraktikë dhe humbje parash.

Prandaj dhe, ky nocion ka bërë që disa analistë dhe historianë të besojnë se bunkerët nuk ishin ndërtuar për qëllime ushtarake, por më tepër “për të rrënjosur një mentalitet rrethimi të popullatës, i cili do të ishte i favorshëm për regjimin autoritar dhe izolues të Hoxhës”.

Pushtuesit që nuk erdhën kurrë

Më tej, Emerging Europe tregon se Hoxha vdiq para se të ndodhte pushtimi kataklizmik për të cilin ai kishte planifikuar dhe parashikuar. Kështu që bunkerët nuk u vunë kurrë në provë.

“Pavarësisht përparimit të hershëm të bërë nën sundimin e tij, në kohën e vdekjes së Hoxhës, Shqipëria ishte një nga vendet më të varfra në Evropë. Ishte më e izoluar se kurrë, duke i ndërprerë lidhjet me Kinën, aleaten e saj të fundit, për shkak të uljes së tensioneve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”, shkruhet.

Artikulli vjen deri në ditët e sotme duke e dënuar Hoxhën totalitarizmin e tij dhe intolerancën ndaj kundërshtimeve ose kritikave.

Por edhe goditjet e gjera kundër fesë dhe detyrimi i ateizmit shtetëror, i tjetërsuan shqiptarët myslimanë dhe të krishterë.

“Shqipëria bashkëkohore ka kohë që ka vendosur të ecë përpara”, vihet në dukje.

Dhe diçka. “Bunkerët mbeten një simbol i qëndrueshëm i Shqipërisë së Hoxhës. Dhe megjithëse ne nuk mund ta dimë kurrë se sa të dobishëm do të kishin qenë në një luftë të vërtetë, ata sigurisht që bëjnë galeri të mira arti”, përmbyllet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore