Lajme

Kuleba: I bëjmë thirrje Kinës të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen politike për luftën në Ukrainë


Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, i ka bërë thirrje Kinës që si një “fuqi globale” të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen politike për luftën në Ukrainë.

“Për dekada, marrëdhëniet ukrainas-kineze janë bazuar në respektin, mirëkuptimin dhe përfitimin reciprok. Ne ndajmë pozicionin e Pekinit për nevojën për të gjetur një zgjidhje politike për luftën kundër Ukrainës dhe i bëjmë thirrje Kinës si një fuqi globale që të luajë një rol të rëndësishëm në këtë përpjekje”, shkruan Kuleba në median sociale Twitter.

Më herët i dërguari i lartë i Kinës në Washington u zotua se vendi i tij “do të bëjë gjithçka” për të de-përshkallëzuar luftën në Ukrainë.

Gjithashtu ai pohoi se marrëdhënia e Kinës me Rusinë “nuk është pjesë e problemit”.

Nga ana tjetër Kina nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë – duke refuzuar ta quajë atë një pushtim – por ka shprehur shqetësim të thellë për luftën. Ajo gjithashtu ka kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës.

Po ashtu sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës janë gjithnjë e më “mizore” sipas Kinës.

Por thirrjet nga pala ukrainase për Kinën për të dënuar agresionin e Rusisë, nuk kanë munguar.

Kujtojmë që kjo është dita e 26-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, mbi 10 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë.

Ndërsa nga shifrat vendase, rreth 2 mijë e 500 civilë mendohet se janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Ndërsa OKB-ja ka raportuar të paktën 816 njerëz të vrarë dhe 1 mijë e 333 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore