Lajme

Kufizimet e rrymës vazhdojnë edhe sot, njofton KEDS


Ilustrim

Ndonëse Ministria e Ekonomisë, kishte njoftuar se është kthyer furnizimi i rregullt me rrymë, pa kaluar 24 orë nga njoftimi se tash e tutje në Kosovë do të vazhdohet me reduktime të energjisë elektrike, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë, ka lajmëruar se në Kosovë do të vazhdohet me kufizim të rrymës edhe gjatë ditës së sotshme.

Kjo për shkak se furnizimi është duke u bazuar nga prodhimi vendor dhe nuk ka mjete për të blerë energji në tregjet ndërkombëtare, kanë deklaruar nga KEDS.

Arsyeja tjetër se pse do të vazhdohet me ndërprerje të energjisë elektrike me intervale të ndryshme kohore, sipas KEDS është se kjo e fundit ka pranuar instruksione nga KOSTT për kufizim të rrymës.

Sistemi me furnizim të energjisë elektrike gjatë ditës së djeshme ishte stabilizuar, sipas Ministrisë së Ekonomisë “falë bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH)”.

“Kështu është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike. Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim”, thuhet tutje në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Si rrodhi situata?

Të dielën afër mesnatës, Korporata për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë KEDS, njoftoi se nga e hëna, 15 gusht, do të fillohet me reduktime.

Reduktimet parashiheshin që pa përjashtim, të ishin gjashtë orë me furnizim me energji elektrike dhe dy të tjerë pa rrymë.

Kjo po bëhej për shkak të humbjeve dhe disbalancit që ishte krijuar, thuhej në njoftim.

Gjatë ditës, Ministria e Financave fillimisht doli me një njoftim se arsye e humbjeve janë vjedhjet që ndodhin brenda KEDS-it dhe la fajin te kjo kompani për detyrimin që të shkohet me ndërprerje.

Tani, njoftimi i fundit tregon se në bashkëpunim me Shqipërinë, reduktime nuk do të ketë, gjithsesi situata e rënduar vazhdon.

Qeveria në ndërkohë ka njoftuar se do të marrë në kontroll verifikimin e humbjeve në sistem, për të parë se ku po ndodhë vjedhje.

Në anën tjetër, opozita në Kosovë akuzon qeverinë e Albin Kurtit se faji është krejtësisht te keqmenaxhimi qeveritar dhe paaftësia për të ndërmarrë masa shumë më herët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore