Lajme

Ku takohen Kosova dhe Serbia në kufi?


Nga gjithsej 702 kilometra vijë kufitare me shtetet përbri, Kosova pjesën më të madhe të vijës kufitare e ndanë me Serbinë 352 km, pastaj me Maqedoninë e Veriut 159 km, me Shqipërinë 112 dhe me Malin e Zi i ndanë vetëm 79 km vijë kufitare.

Për shkak që me fqinjën veriore, Kosova ka më së shumti vijë kufitare të përbashkët rrjedhimisht i bie që me Serbinë të ketë më së shumti pika kufitare të përbashkëta.

Kosova dhe Serbia, bashkë ndajnë gjashtë pika kufitare. Duke filluar nga pika kufitare në Muqibabë, Dheu i Bardhë, Mutivodë, Merdare, Jarinje dhe Bërnjak.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2007 pikat kufitare në Jarinje e njohur si pika G1 në Rudnicë dhe Bërnjak, G31, në Zubin Potok ishin djegur nga qytetrë serb, protestues e të pa kënaqur me situatën e re politike të krijuar për Kosovën.

Harta e Kosovës e cila paraqet pikat kufitare që ka me fqinjën veriore, Serbinë

Rrugët që shpijnë në dy pikat kufitare, Bërnjak dhe Jarinjë, po mbahen të bllokuara nga serbët lokalë të cilët po protestojnë kundër masave të reciprocitetit të Kosovës për ndalim të targave të veturave nga Serbia. Masë kjo të cilën Qeveria e Kosovës vendosi ta aplikoj që nga e hëna e 20 shtatorit.

Për t’u dalë në ndihmë policisë Kufitare në zbatim të kësaj mase të reciprocitetit në këto dy pika kufitare me Serbinë, kanë dalë edhe Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët po qëndrojnë aty nga orët e para të mëngjesit të së hënës.

Jarinje, 20 shtator

Kosova nuk është qeverisur nga Serbia për më shumë se 21 vjet (pas okupimit), megjithatë statusi i sovranitetit të saj, si dhe territori dhe kufijtë e të dy vendeve vazhdojnë të kontestohen reciprokisht por edhe ndërkombëtarisht.

Që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në vitin 1999, marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë kaluar në disa momente historike, ku nga më të rëndësishmet mund të veçohen Plani i Martti Ahtisaarit në vitin 2008 dhe marrëveshja e Brukselit më 2013.

Marrëveshja e Brukselit thotë qartë se asnjëra palë nuk mund ta bllokojë hyrjen e palës tjetër në BE, gjë kjo që do të duhej t’i shlyente shqetësimet për këtë çështje si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Ky përkushtim është fuqizuar me Deklaratat e samitit të Vjenës me 2015 dhe samitit të Londrës më 2018, si dhe në kuadër të kornizës së Procesit të Berlinit – që të gjitha këto të nënshkruara nga përfaqësuesit e të dyja vendeve.

Derisa Marrëveshja e Brukselit është mjaft teknike në esencë, plani i Ahtisaarit e sheh të ardhmen e Kosovës si një shoqëri multietnike, e qeverisur në mënyrë demokratike dhe në respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Megjithatë, asnjëri prej këtyre dy dokumenteve – të paktën deri më sot – nuk janë zbatuar në praktikë.

Për momentin, është vështirë të arrihet një konsensus në Kosovë për t’i dhënë pakicës serbe më shumë se sa parashikon plani i Ahtisaarit, teksa në të njëjtën kohë, është më se e pamundshme që shumica e serbëve ta mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Bllokada e stërzgjatur në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, e shkaktuar nga faktet e lartpërmendura, na çon deri te konstatimi se po rritet nevoja për rishikimin e qasjes aktuale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Ashtu siç sugjerohet në Komunikatën e BE-së 2018 për “Një perspektivë të besueshme zgjerimi dhe angazhimi të BE-së me Ballkanin Perëndimor”, shtegu drejt ecjes përpara duhet të përcaktohet me një marrëveshje ligjërisht detyruese që i ka të përcaktuara qartë detyrimet për secilën palë. Marrëveshja duhet të jetë në formë të shkruar dhe gjithëpërfshirëse në formulim, në formë të një traktati nën të cilin, nëse palët dështojnë t’u përmbahen obligimeve, do të mbahen përgjegjëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore