Lajme

Kthehet në pikën zero procesi i zgjedhjes së Guvernatorit të BQK-së


Mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere,

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, në mbledhjen e këtij komisioni të premten, ka thënë se do t’i kërkoj Kuvendit të Kosovës që procesin e përzgjedhjes së Guvernatorit të ri të Bankës Qendrore të Kosovës ta kthejë në pikën zero.

“Bazuar në nenin 110 paragrafi 4 të rregullores së Kuvendit në rastin kur kandidaturat nuk i plotësojnë kushtet sipas Ligjit, Komisioni kërkon nga kryetari i Kuvendit ta njoftojë institucionin propozues për mospërmbushje të kushteve”, ka thënë Muja.

Por, kërkesa e deputetit Muja, ka hasur në kundërshtimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

“E vetmja arsye është te përcaktimi i numrave që vijnë për votim në Kuvend. Mënyra si është zgjedh ai numër është eleminues dhe asnjë procedurë tjetër nuk mundëson kthimin e procesit në pikën zero. Kjo është arsyeja e vetme që me kthyer mbrapsht këtë proces”, ka thënë Rrahmani.

Në anën tjetër deputetja Balje ka këmbëngulur që ta dijë se kush nga kandidatët si ka plotësuar kushtet.

Megjithatë, propozimi i votua me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ndryshe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ditë më parë kishte kritikuar qasjen e treguar nga ana e Qeveria së Kosovës në raport me zgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, kishte treguar hap pas hapi se si Qeveria e Kosovës e ka emëruar kryetarin e Bordit të Bankës Qendrore, Bashkim Nurbojën – ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Pejës në vitin 2017 – në pozitën e Guvernatorit të BQK-së përkohësisht, pasi ish-guvernatorit të BQK-së i kishte mbaruar mandati.

Bashkim Nurboja dhe Albin Kurti

Sipas tij zgjedhja e Zëvendësguvernatorit u bojkotua gjatë tërë vitit 2022 duke lënë kështu BQK-në pa Zëvendësguvernator – i cili në mungesë të Guvernatorit do të ushtronte detyrën e Guvernatorit.

“Procesi i zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore u cenua me veprime joligjore nga ana e disa anëtarëve të panelit përzgjedhës. Si rezultat, Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës nuk mundi ta përcjell listën me propozime në seancë të Kuvendit për votim. Ushtruesja e detyrës së Zëvendësguvernatorit duket se është shkarkuar këto ditë për t’i hapur rrugë Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të marrë detyrën e Guvernatorit. Urime!”, kishte shkruar Hoti.

Çfarë ndodhi?

Bashkim Nurboja vetëm dy muaj më parë ishte zgjedhur si Kryetar i Bordit të BQK-së.

Kështu të paktën kishte bërë të ditur në një njoftim BQK-ja, duke theksuar se Nurboja ka zëvendësuar kryetarin e deritanishëm, Flamur Marsorin, të cilit i kishte përfunduar mandati.

Ndërsa më 29 mars Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e radhës kishte vendosur që kryetari i këtij bordi, Nurboja, të marrë përkohësisht postin e Guvernatorit.

Bordi në këtë komunikatë kishte theksuar se vendimi për Nurbojën ishte marrë në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë dhe “me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore