Lajme

Kryevepra e Raphael është “pjesërisht vepër e një artisti tjetër”


Një pikturë 500-vjeçare e Raphael është pjesërisht vepër e një artisti tjetër, sipas një studimi të ri.

Një ekip i udhëhequr nga shkencëtarë nga Universiteti i Bradford-it në Angli përdori inteligjencën artificiale për të përcaktuar se fytyra e Jozefit në “Madonna della Rosa” ishte pikturuar nga dikush tjetër përveç mjeshtrit të Rilindjes.

Raphael është një nga mjeshtrit italianë më të njohur të Rilindjes dhe jetoi nga viti 1483 deri në vitin 1520.

Hassan Ugail, drejtor i Qendrës për Kompjuterim Vizual dhe Sisteme Inteligjente në Universitetin e Bradfordit, ka treguar se ka zhvilluar një algoritëm për të njohur pikturat e vërteta të Raphael, me saktësi 98 për qind.

Ai analizon 4 mijë parametra të tillë si goditjet e penelit, gamë ngjyrash dhe nuanca për të përcaktuar nëse një pikturë është e Raphael vërtetë.

“Madonna della Rosa”, e cila ndodhet në Museo del Prado në Madrid, ka qenë prej kohësh objekt debati, ka treguar bashkëautori i studimit Howell Edwards, profesor i spektroskopisë molekulare në Universitetin e Bradfordit.

“Analiza e programit të inteligjencës artificiale të punës sonë ka treguar përfundimisht se ndërsa tre figurat janë pikturuar pa mëdyshje nga Raphael, ajo e Shën Jozefit është pikturuar nga dikush tjetër”, ka thënë Edwards.

Debat rreth inteligjencës artificiale në art

Algoritmi bazohet në kërkimet e mëparshme që zbuluan se një pikturë e njohur si “de Brécy Tondo” ka të ngjarë të jetë nga Raphael vërtetë, duke kundërshtuar disa historianë arti që thanë se piktura ishte një kopje e bërë në shekullin e XIX-të.

Gjetjet nxitën kritika nga disa historianë të artit, të cilët Ugail ka thënë se ishin “pak kundërshtues” të hulumtimit.

“Unë u befasova pak”, ka thënë ai, duke shpjeguar se algoritmi analizoi detaje që janë përtej aftësive të syrit të njeriut.

“Do të jetë shumë, shumë e vështirë, pavarësisht se sa i mirë është dikush, të futet në atë nivel detajesh dhe të krijojë diçka të tillë”, ka thënë Ugail.

​ Debati rreth “de Brécy Tondo” ushqehet me diskutime më të gjera rreth rolit të inteligjencës artificiale në vërtetimin e artit, të cilin Ugail e sheh si kompliment me format e tjera të analizës, siç është kërkimi i origjinës së një vepre.

“Ky është vetëm një mjet tjetër”, ka thënë Ugail, i cili ka theksuar se algoritmi mund të përdoret për të përcaktuar nëse një vepër arti misterioze meriton hetim të mëtejshëm.

“Kjo është një mënyrë shumë e shpejtë për të provuar nëse duhet parë më thellë në një pikturë”, ka thënë ai.

Më pas, Ugail planifikon të zhvillojë një algoritëm të aftë për të njohur veprat e artistëve të tjerë, që ai thotë se do të sjellë shkencën në vërtetimin e artit.

“Potenciali për këtë lloj mjeti është i madh”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore