Kosova

Kryetarja e Preshevës e mirëpret vendimin e Kosovës për reciprocitetin e targave


Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit në targa me Serbinë.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter ka kërkuar veprime që të do të lehtësonin lëvizjen e qytetarëve të Luginës së Preshevës në Kosovë.

“Mirëpresim çdo vendim që sovranizon Kosovën, siç janë masat e reciprocitetit në lidhje me përdorimin e targave të përkohshme nga qytetarët e Serbisë, Në këtë rast me vendime që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve të Luginës së Preshevës në Kosovë”, ka shkruar Sinani.

Ndërkaq, mjetet të cilat do të grumbullohen nga pagesat e targave me të cilat do t’iu lejohet hyrja në Kosovë edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, do të kthehen në donacion për ta.

Kështu ka deklaruar Ilir Kërçeli – shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ilir Kërçeli – shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

“Të gjitha mjetet të cilat mblidhen nga pagesat e tabelave nga familjet shqiptare nga Lugina e Preshevës, do kthehen donacion për Luginën”, ka shkruar Kërçeli në llogarinë e tij në Facebook.

Kjo pasi që, vënia e reciprocitetit për targat për veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, është parë si shqetësim nga ana e banorëve të Luginës së Preshevës për shkak të ndërlikimit të qarkullimit të lirë të tyre.

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë.

Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa “RKS” t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e vendosjes së tabelave të përkohshme “RKS” për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë me tabela tjera nga Serbia, ka thënë se këto veprime nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë, apo të provokojnë ndonjë destabilizim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë qytetarëve serbë, apo të provokojnë çfarë do destabilizimi”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore