Lajme

Kryetari i Hanit të Elezit viziton Thaçin në Hagë: Plot shpresë i bindur në fitoren e tij ndaj gjykimit të padrejtë të Hagës


Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka bërë të ditur se ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’ ai ka treguar e ka gjetur ashtu si në kohërat e luftës.

“Të fortë e të palëkundur, ashtu si në kohërat e luftës, e gjeta sot në vendin ku po mbahet padrejtësisht. Dhe ashtu siç ishte plot shpresë e i bindur në fitoren e Kosovës gjatë luftës, të tillë e gjeta sot gjatë vizitës sime në Hagë, i cili ishte plot shpresë e i bindur në fitoren e tij ndaj gjykimit të padrejtë të Hagës, fitore kjo që do të jetë e gjithë Kosovës dhe shqiptarëve”, ka shkruar Ballazhi.

“Kohët e vështira krijojnë njerëz të fortë sepse këta njerëz marrin vendime të guximshme në kohë të vështira”.

Tutje ai ka kujtuar edhe të kaluarën e presidentit dhe krijimin e figurës së rëndësishme.

“I tillë është edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili edhe pse aq i ri në moshë, vetëm në vitet e 20’ta të jetës së tij, ai bëhet figurë kyqe si në organizime të lëvizjeve studentore e gjithëpopullore, edhe në themelimin e UÇK-së dhe çlirimit, e më pas deri në shpallje të Pavarësisë dhe në krijimin e standarteve jetësore në Kosovë”.

“Krenar me ty, President!”, ka përfunduar Ballazhi.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore