Kosova

Kryetari i grupit punues të Fondit Sovran: Zgjidhje për të dalur nga situata në të cilën janë ndërmarrjet publike – mundësohet shitja e aksioneve të KEK-ut, Trepçës, Telekomit


Kryetari i grupit të punës për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës, Besnik Pula.

Qeveria e Kosovës, në vitin 2023 nisi themelimin e Fondit Sovran, i cili më pas u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare, pasi që e shihnin si shkelje të parimit të ekonomisë së lirë të tregut.

Por, sipas kryetarit të grupit të punës për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës, njëherësh edhe profesor i asociuar në Univeristetin “Virginia Tech”, Besnik Pula, ky fond është “dalje nga qorrsokaku”, i ekonomisë së Kosovës.

Ai i pyetur se a është në dijeni se Kosova mbetet shtet i varfër dhe ndërmarrjet e saj publike shpeshherë punojnë me humbje, janë të ngarkuara me borxhe dhe pa investime për t’u bërë konkurruese në treg, thotë se ekzekutivi i rrezikon këto institucione në rast se i mban ashtu siç janë.

“Fondi Sovran është një zgjidhje për të dalë nga ky qorrsokak në të cilin janë sot ndërmarrjet publike. Fondi nuk është vetëm investitor direkt në ndërmarrje, por krijon edhe mekanizma të rinj financiarë për investime në këto ndërmarrje, siç janë për shembull shitja e bonove, shitja e aksioneve, hapja e tregut për investime në këto ndërmarrje, duke hapur burime të reja investimesh për t’i rigjallëruar këto ndërmarrje”.

“Pra, nuk do të jetë vet Fondi ai që do t’i gjenerojë apo rigjenerojë vet këto ndërmarrje publike, por duke hapur mundësi të reja për investime edhe nga palët e tjera, duke krijuar një infrakstrukturë investuese për vendin dhe për të sjellë dobi kështu për ndërmarrje publike”, sqaron ai.

Pula, gjatë intervistës për Zërin e Amerikës.thotë se ndërmarrjet mund të hapen për shitjen e aksioneve.

“Fondi Sovran mund të shesë aksione nga KEK-u (Korporatën Energjetike të Kosovës) palëve të tjera, qofshin ato të vendit apo të jashtme. Kështu, KEK-ut, për shembull, i hapet rruga për investime të reja nga palë të tjera, të cilat deri tani nuk kanë patur mundësi të investojnë në të. Njesoj me Telekomin, Trepçën, apo ndërmarrjet e tjera të cilat sot janë të mbyllura për investime”.

“Mundësitë tjera janë shitja e bonove të këtyre korporatave, që ato të kenë mundësi të reja të marrin hua për investime kapitale duke pasur qasje në tregjet e jashtme financiare. Pra, ka mundësi të shumta të cilat mbeten të pashfrytëzuara dhe të paeksploruara në gjendjen e sotme, një gjendje që ndryshon me krijimin e Fondit Sovran”.

Ai pohon se mandati i fondit do të jetë për të gjeneruar vlerën për asetet publike të cilat aktualisht gjenden në pronësi të Kosovës.

“Këto janë ndërmarrje publike si KEK-u, Telekomi, Trepça dhe të tjera, që kanë mbetur të neglizhuara, pa investime dhe të pamenaxhuara mirë dhe si duhet. Përveç kësaj, Fondi Sovran krijon një nyje lidhëse midis Kosovës dhe tregjeve ndërkombëtare financiare dhe ky është synimi i dytë i Fondit”, ka thënë ai.

Sa i përket dërgimit të këtij ligji në Kushtetuese, ai shprehet i habitur, pasi që sipas tij Fondi Sovran do të operoj si kompani financiare.

“Unë nuk e di, me qenë se nuk e kam parë dokumentin të cilin PDK-ja dhe poashtu partia tjetër opozitare LDK e kanë deponuar në Gjykatën Kushtetuese. Nuk e di se në çfarë baze ata pretendojnë që Fondi nuk është i ndërtuar mbi bazën e parimit të tregut të lirë. Si korporatë financiare, Fondi Sovran do të operojë si kompani financiare”.

“Ai nuk ndërhyn në treg, ai nuk merret, për shembull, me aktivitete komerciale, nuk ndërhyn në punën e ndërmarrjeve private dhe në asnjë mënyrë nuk cenon tregun. Në fakt, krijon tregje të reja, siç e përmenda tregun financiar, i cili sot nuk ekziston në Kosovë”.

Duke shtuar se “nuk sheh asnjë argumet të vlefshë”, i cili mund të pretendojë se Fondi Sovran disi shkon në kundërshtim me frymën e tregut.

Sipas ekzekutivit, Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

Për këtë projektligj kritikues dhe kundër votimit të tij kanë qenë opozita.

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, Fondi Sovran, dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrje publike dhe buxhetin e shtetit.

Legjislacioni ekonomik i Kosovës, theksonte, ish-ministri i Financave, është bazuar në parimet e ekonomisë sociale të tregut, me besimin se tregu dhe konkurrenca janë e vetmja mënyrë për zhvillim ekonomik afatgjatë e të qëndrueshëm.

Për të mirëmbajtur një parim të tillë, Kosova, vlerësonte, Hoti ka krijuar mekanizmat institucional për të mbështetur bizneset private si Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, i cili mundëson kreditim më të lehtë të bizneseve nga bankat komerciale, duke promovuar sektorë të caktuar në përputhje me strategjinë kombëtare për zhvillim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore