Lajme

Kryesia e Kuvendit të hënën sërish përpjekje për shqyrtimin e Projektligjit të Trustit


Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, do të mblidhet sërish të hënën në orën 10:00 për të caktuar seancën e radhës.

Ndërsa, në rend dite në këtë mbledhje do të jetë edhe ndryshimi i ligjin për fonde pensionale të Kosovës, përmes të cilit mundësohet tërheqja e një përqindje të parave nga Trusti.

Shqyrtimi i Projektligjit për Trustin ishte shtyrë për të hënën e 6 qershorit pasi javën e kaluar, në mungesë të kuorumit Kryesia e Kuvendit ka dështuar të vendosë për seancën e radhës parlamentare.

Projektligji për trustin ka kaluar për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, pa marrë miratimin e komisionit.

Si rrodhën gjërat ?

Partia Demokratike e Kosovës  – si partia më e madhe opozitare ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Trusti.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Më 25 maj të këtij viti Komisioni për Buxhet, nuk ka miratuar propozimin që t’i rekomandohet Kuvendit shqyrtimi i ligjit që mundëson një tërheqje të re nga Fondi i Kursimeve Pensionale. Për këtë votuan kundër deputetët e mazhorancës.

Megjithatë Kryesia e Kuvendit, më 30 maj ka vendosur që të enjten e nëntë qershorit në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të shqyrtojë plotësim ndryshimin e ligjit për Trustin.

Ndryshe një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.

Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Kryeministri Albin Kurti, të mërkurën e ka përsëritur edhe njëherë se qeveria që ai drejton nuk e mbështet tërheqjen nga Trusti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore