Kosova

Kryeprokurori i Shtetit kërkon që rastet e dhunës seksuale të trajtohen me prioritet


Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka kërkuar nga kryeprokurorët e prokurorive të vendit që çdo lëndë të trajtohet me përgjegjësi të lartë, të përfaqësohet dhe të mbrohet me dinjitet dhe profesionalizëm pranë secilës instancë gjyqësore.

Në këtë takim u raportua me radhë nga përfaqësuesit e të gjitha prokurorive për rrjedhat e punës, ku në fokus ishin raportimet për rastet e dhunës në familje dhe rastet e dhunës seksuale në Republikën e Kosovës.

“Lidhur me këto raste, bazuar në shifrat zyrtare, kryeprokurorët raportuan për prokuroritë që ata drejtojnë, dhe, me këtë rast, u diskutuan çështjet dhe praktikat që kanë të bëjnë me veprimet procedurale dhe ligjore në trajtimin e rasteve penale, konkretisht atyre të dhunës në familje dhe dhunës seksuale”, thuhet në njoftim për media nga zyra e Kelmendit.

Sipas njoftimit, Kelmendi ka dhënë rekomandimet e nevojshme lidhur me vëmendjen që duhet pasur secila prokurori në rrugën që është përpara dhe ka kërkuar zbatimin e përpiktë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, akteve të tjera ligjore dhe nënligjore sa i përket secilit rast, pa dallim, zbatim ky, që ndikon në rritjen e efikasitetit gjatë trajtimit të këtyre rasteve dhe të gjitha rasteve të tjera penale.

“Pjesë thelbësore e këtij takimi ishte edhe diskutimi për trajtimin adekuat me anë të mekanizmave institucionalë të rasteve me ndjeshmëri të lartë publike, duke reflektuar gjithnjë në të drejtat e viktimave, të drejtat e të pandehurve dhe të drejtat e të miturve në procedurë penale, përfshirë edhe ato të personave me çrregullime mendore”.

Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për Kodin e Ri të Procedurës Penale, rolin dhe kompetencat e secilës instancë të prokurorisë në zbatimin sa më efikas të këtij Kodi.

Haxhiu: Po e dorëzojmë në Kuvend dosjen për vettingun

Ndryshe, akuzat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut janë shpeshtuar këtyre ditëve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve pas dhunimit të një 11-vjeçare në Prishtinë.

Të dielën e 4 shtatorit, ajo ka theksuar se gjyqtarët dhe prokurorët konsiderohen se kanë pagat më të larta në rajon, por, për shkak të mosveprimeve apo veprimeve të tyre të gabuara, po humbim jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, por “dhunohen fizikisht gratë dhe vajzat, dhe korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar”.

Kur është pyetur për dhunimin e 11-vjeçares, ajo ka pohuar se “ka pasur dy dorëheqje, dhe urojmë që të ketë edhe të tjera, pasi siç e  kuptojmë, ka edhe zyrtarë tjerë që nuk i kanë kryer detyrat siç duhet”.

“Kam kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Po të vepronte prokuroria me kohë, ata persona do arrestoheshim shumë më herët”, shtoi Haxhiu.

“Duhet të merren veprime ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kanë kryer detyrat e tyre”.

Ndërsa kryeministri Kurti, ka thënë se puna e nisur nuk mund të mbarojë pa Vettingun dhe sigurimin që institucionet e parandalojnë krimin dhe gjykatat japin dënimet e merituara.

“Në mbi 85 për qind të këtyre rasteve kanë qenë të mitura. 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë, dhe rreth 140 prokurorë nga gjithsej 200 sa janë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore