Lajme

Kryeparlamentari serb: Protesa në Prishtinë tregoi rëndësinë që ka Asociacioni për serbët


Vladimir Orliç

Për kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, protesta e mbajtur të shtunën në Prishtinë kundër Planit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tregon për rëndësinë që ka Asociacioni i Komunave me shumicë serbe për serbët e Kosovës.

“Në bazë të atyre ngjarjeve të djeshme, por jo vetëm atyre, ne mund të kuptojmë më mirë rëndësinë e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe çfarë lloj trazirash mund të shkaktojë një çështje e tillë në Prishtinë”, tha Orliç, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

Sipas pretendimeve të tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka rezistuar në të gjitha mënyrat e mundshme për ta shmangur atë obligim [themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe], ndërsa protestat në Prishtinë treguan se çfarë mendon skena politike atje për këtë mekanizëm”.

“Dhe pastaj dikush këtu ju thotë se nuk është në interesin e serbëve, se nuk është diçka aq e rëndësishme, atje duan t’i vënë flakën Kurtit, thonë se do të hudhin koktej molotovi dhe kjo është përgjigja më e mirë, se a është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe i rëndësishm apo jo”, vlerësoi Orliç.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës, pas votës së kualifikuar, porse atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm të një entiteti sovran.

Ndryshe, parulla si “Albin Zajednica” e fotografi të mëdha me fytyrën e kryeministrit Kurti me hundën e zgjatur si personazhi fiktiv prej druri (Pinokio), janë parë në Prishtinë të shtunën, në protestën e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Kosovës.

Ata kanë hedhur tym të zi para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të shprehur indinjatën e tyre me ekzekutivin aktual. Të njëjtit paraprakisht, kanë hequr flamujt e Kosovës para ndërtesës së qeverisë dhe kanë vendosur flamuj të bardhë si simbol dorëzimi.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas protestuesve, parasheh autonomi territoriale për komunitetin serb në Kosovë ose zona të veçanta që kanë karakter ekstraterritorialiteti përreth Kishës Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore