Lajme

Kryeministri i Luksemburgut: Erdhëm ta dëgjojmë Kurtin, jo ta gjykojmë


Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar para gazetarëve në Prishtinë se kanë ardhur “për të ndërtuar ura në mes të fqinjëve” pasi “Kosova është pjesë e familjes sonë”.

Ai tutje ka thënë se ky takim i tyre ka ndodhur si një nevojë për të dëgjuar Kryeministrin e Kosovës dhe jo për të gjykuar atë për veprimet e tij.

“I thamë edhe Albinit, nuk jemi këtu për të gjykuar, por jemi këtu për të dëgjuar dhe të mundohemi të ndërtojmë urat që janë në mes fqinjëve, pasi nganjëherë nuk janë shumë të lehta për t’u ndërtuar”, deklaroi Bettel.

“Dje ishim në Beograd, sot jemi në Prishtinë. Ishte shumë me rëndësi që të shkëmbejmë ide dhe ta dimë që është një udhërrëfyes nga Bashkimi Evropian, nga Miroslav Lajçaku dhe Josep Borrell-i. Këto zhvillime janë për ne hapa të rëndësishëm dhe duhet vazhduar”, deklaroi Bettel.

Bettel, tutje tha se nuk duhet të harrohet e kaluara e Kosovës.

“Nuk duhet të harrojmë që lufta e parë botërore është filluar këtu, po ashtu edhe lufta e fundit ka filluar në ish-Jugosllavi dhe duhet të largojmë çdo mundësi për kriza të mundshme ku shoqëria civile dhe populli vuan më së shumti”.

Për bisedimet ai u shpreh se mund të jetë e vështirë, por që duhet të ketë besim tek përfaqësuesit e lartë.

“Mund të llogaritni tek ne, nganjëherë është e vështirë të ketë diskutime mes fqinjëve por ajo që është me rëndësi është të besojmë në punën e përfaqësuesit të lartë dhe përfaqësuesit të BE-së dhe të kemi dialog të hapur. Por, dialogu i drejtpërdrejt duhet të jetë për të dyja shtetet”.

Sipas tij, në vend të fjalëve duhet të ketë veprime.

Prandaj ka kërkuar nga palët që t’i përmbahen udhërrëfyesit.

“Ne e kemi udhërrëfyesin dhe duhet t’i përmbahemi në vend të fjalëve duhet të veprojmë nga të dyja anët. Kështu e shohim ne dëshirën për avancimin dhe deeskalimin e situatës duke e ndjekur këtë udhërrëfyes dhe jo për të pritur që të fillohet diku”.

Për “mbështetjen popullore” ai potencoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme në politik.

“Kur merrni vendime të mira është në të mirë të popullit, nëse nuk merrni vendime të mira nganjëherë është e vështirë sepse e dimë që mbështetje popullore në politik është e rëndësishme”.

Ndër të tjera, sqaroi se me konflikt asnjëherë nuk do të ketë as zgjidhje dhe as fitues mes palëve.

“Stabiliteti është në interes të të gjithëve dhe unë mund ta përkrah kryeministrin Kurti, presidenten Osmani, zotërin Vuçiç dhe zonjën Bernabiç që t’i përmbahen këtij udhërrëfyesi të BE-së dhe në fund dua t’u them se nuk do të ketë fitues nëse ka konflikte”.

Teksa është shprehur i lumtur që një pjesë e Kosovës është në Luksemburg.

“Ne e kemi një pjesë të Kosovës në Luksemburg kjo është si i kemi krijuar raportet tona zakonisht kemi shumë miqtë kur jemi të suksesshëm dhe keni shokë të mirë kur keni nevojë për përkrahje në kohëra të vështira”.

“Nuk jemi shteti më i madh dhe e dimë se duke punuar me të tjerët është shumë me rëndësi që të gjejmë zgjidhje”.

Ai e ka mbyllur fjalimin duke thënë se “ne si politikanë marrim vendime, por populli i vuan pasojat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore