Lajme

Kryeministri i Jordanisë: Do të shpejtohet dërgimi i gazit në Liban


Kryeministri jordanez Bisher Khasawneh, i majtë, gjatë konferencës së përbashkët shtypi me homologun e tij libanez Najib Mikati, në Shtëpinë e Qeverisë në qendër të qytetit të Bejrutit, Liban, të enjten, 30 shtator 2021. 

Qeveria në Jordani ka diskutuar mënyrat për të përshpejtuar dërgesat egjiptiane të gazit natyror përmes territorit të saj dhe Sirisë në Liban, i cili po merret me një krizë rraskapitëse të energjisë.

Kryeministri jordanez Bisher Khasawneh mbërriti në Bejrut të enjten vonë. Ky i fundit është zyrtari i parë i huaj që vizitoi kryeministrin e ri të Libanit Najib Mikati, i cili mori detyrën në fillim të këtij muaji.

“Associated Press” citoi Khasawneh të thoshte se Jordania është e përkushtuar të mbështesë stabilitetin e Libanit.

“Ne nuk do t’i frenojmë aftësitë tona, ne do të përgjigjemi me gjithçka që mundemi për vëllezërit tanë në Liban”, tha Khasawneh në një konferencë shtypi me Mikati-n.

Më tej ai bëri me dije se ata diskutuan mënyrat për të përshpejtuar marrjen e gazit egjiptian nga Libani për të ndihmuar disa nga sfidat e energjisë dhe sektorin e energjisë elektrike.

Ai tha se ka përpjekje për t’i siguruar Libanit pak energji elektrike nga Jordania. Ndërkohë ai nuk dha detaje të tjera por tha se do të ketë diskutime të tjera.

Kryeministri libanez Najib Mikati, djathtas, gjatë takimit me homologun e tij jordanez Bisher Khasawneh, majtas, në Shtëpinë e Qeverisë në qendër të qytetit të Bejrutit, Liban, të enjten, 30 shtator 2021.

Ministrja jordaneze e energjisë Hala al-Zawati tha në fillim të këtij muaji se infrastruktura për të rifilluar rrjedhën e gazit në Liban kishte nevojë për kontrolle pas një pauze 10-vjeçare. Mirëmbajtja pritej të përfundonte deri në fillim të tetorit.

Zyrtarët libanezë kishin thënë se Banka Botërore do të ndihmonte Libanin të financonte marrëveshjen. Pak detaje janë shfaqur në lidhje me marrëveshjen.

Tubacioni që kalon përmes Jordanisë dhe Sirisë bart gaz natyror egjiptian – një marrëveshje që u ndërpre 10 vjet më parë për shkak të mungesave dhe çështjeve teknike, si dhe luftës në Siri.

Kompania e energjisë elektrike e Libanit ofron vetëm disa orë energji në ditë, dhe banorët janë mbështetur shumë në prodhuesit privatë të kushtueshëm dhe ndotës.

Libani gjithashtu ka arritur një marrëveshje me Irakun për të siguruar karburant për të ndihmuar në gjenerimin e disa orëve të energjisë në ditë.

Një muaj më parë, më 20 gusht ambasadorja e SHBA-ve në Liban, Dorothy Shea, u shpreh se ishin në bisedime me Bankën Botërore, qeverinë e Egjiptit dhe Jordanisë për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve për nevojat që ka Libani për karburant dhe energji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore