Lajme

Kryeministri i Irlandës në vizitë zyrtare në Kosovë, policia bllokon disa rrugë


Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar.

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, së bashku me një delegacion shoqërues do të qëndrojë për një vizitë një ditore në Kosovë, ku për shkak të sigurisë së tij nga Policia e Kosovës, është thënë se do të bëhet ndërprerje e përkohshme e qarkullimit të trafikut.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia përmes një komunikate për media.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”.

“Andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, ka thënë policia.

Policia e Kosovës, ka thënë se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

Edhe shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Irlandës, Sean Clancy, vizitoi të mërkurën kampin e Forcës së NATO-s (KFOR) në Prishtinë, ku takoi komandantin turk të KFOR-it, Ozkan Ulutas, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në vend dhe kontributin e palëkundur të forcave irlandeze në misionin paqeruajtës.

Në vizitën e zhvilluar në Camp Film City në kryeqytet, pjesëmarrëse ishte edhe Sekretarja e Përgjithshme e Departamentit të Mbrojtjes së Irlandës, Jacqui McCrum, njoftoi misioni nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten.

“Gjatë takimit, komandanti i KFOR-it shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e patundur të Irlandës në misionin e KFOR-it”.

Varadkar, do të takohet me krerët institucionalë të vendit, ku në fokus të takimeve pritet të jetë thellimi i bashkëpunimit midis Kosovës dhe Irlandës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore