Lajme

Kryeministri Ahmed: Etiopia po përballet me luftë të vështirë guerile


Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, u shpreh se forcat ushtarake etiopiane po zhvillojnë një luftë guerile “të vështirë dhe të lodhshme” në rajonin verior Tigray.

Fjala e tij shënon ndryshim të madh me këmbënguljen e mëparshme se operacionet ushtarake të filluara në nëntor kishin qenë një sukses i shpejtë dhe vendimtar.

“Junta, të cilën ne e kishim eliminuar brenda tri javësh, tani është kthyer në një forcë guerile. Ka filluar të lëvizë nga një vend në tjetrin”, tha Abiy, duke iu referuar Frontit të Çlirimit të Popullit Tigray (TPLF).

“Tani, ne nuk jemi në gjendje ta eliminojmë atë brenda tre muajve. Eliminimi i një armiku që është i dukshëm dhe eliminimi i një armiku që fshihet dhe vepron duke asimiluar veten me të tjerët nuk është njëlloj. Është shumë e vështirë dhe e lodhshme”, shtoi ai.

Zhvendosja e trupave në Tigray

Trupat federale u zhvendosën në Tigray në nëntor, me synimin për të “rivendosur sundimin e ligjit” duke përjashtuar TPLF-në, partinë politike që ishte atëherë në pushtet në provincë, pas sulmeve të befasishme mbi bazat e ushtrisë federale.

Ofensiva u shpall e suksesshme, pasi udhëheqja e TPLF evakuoi fortesën në Mekelle, kryeqytetin e provincës, dhe u instalua një administratë e përkohshme besnike ndaj Addis Ababa-s.

TPLF-ja është mbledhur nga fundi i janarit dhe ka zhvilluar kryengritje të forcuar kundër forcave federale.

Një seri përplasjesh të ashpra u zhvilluan në mes të shkurtit rreth Samresë, një qytet i vogël 40 kilometra në jug-perëndim të Mekelle-s, ndërsa mijëra trupa etiopiane të mbështetur nga artileria, tanket dhe sulmet ajrore luftuan me forcat besnike të TPLF-së.

Konfliktet e reja

Ditët e fundit ka pasur luftime të reja në zonë, thanë burimet në Tigray për Guardian.

Gjithashtu ka pasur luftime në veri-lindje të rajonit, në rrugën që të çon në Eritrea dhe përgjatë rrugës kryesore që bashkon Mekelle-n me qytete më në perëndim.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha javën e kaluar se ka pasur shumë përplasje në shumicën e zonave rurale.

Shumë masakra të kryera nga trupat etiopiane dhe aleatët e tyre Eritrean kanë nxitur rekrutimin në forcat e TPLF-së.

Javën e kaluar, pothuajse 2 mijë njerëz të vrarë në më shumë se 150 masakra nga ushtarë, paraushtarakë dhe kryengritës në Tigray.

Kufizimet e hyrjes për punonjësit humanitarë, studiuesit dhe gazetarët e kanë bërë të vështirë për të përcaktuar numrin e të vdekurve të konfliktit deri më tani.

Rigrupimi i Forcave të Mbrojtjes

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) paralajmëroi javën e kaluar se lufta rrezikon të zvarritet për muaj e madje me vite.

Pavarësisht vendosjes së trupave dhe milicisë së Eritresë nga rajoni Amhara i Etiopisë, i cili kufizohet me Tigray në jug, shumica e drejtuesve të TPLF mbeten në arrati dhe ICG vuri në dukje se asnjë nuk u raportua i kapur ose i vrarë.

Luftëtarët Pro-TPLF janë rigrupuar nën Forcat e Mbrojtjes Tigray, një lëvizje e armatosur e udhëhequr nga drejtuesit e larguar tigrayan dhe e komanduar nga ish-oficerë të rangut të lartë.

Ushtria e Etiopisë po lufton gjithashtu me një grup rebel në rajonin Oromia të vendit, të cilin qeveria e ka fajësuar për masakra të shumta ndaj civilëve, përfshirë një sulm javën e kaluar që la dhjetëra të vdekur.

“Aktualisht, forcat e mbrojtjes kombëtare dhe forcat federale janë në një luftë të madhe në tetë fronte në veri dhe perëndim kundër armiqve, të cilët janë anti-fermerë, anti-civilë dhe duke shkaktuar grindje midis etiopianëve”, tha kryeministri Abiy.

Në Tigray, qeveria e Abiy më parë ka minimizuar aftësinë e TPLF për të bërë kryengritje të madhe.

Kryeministri 44-vjeçar, i cili fitoi çmimin Nobel për Paqen në 2019 për përfundimin e një konflikti me Eritrea-n, u tha parlamentarëve muajin e kaluar se luftëtarët pro-TPLF ishin si “mielli i shpërndarë nga era”.

Abiy po përballet me presion në rritje për të siguruar tërheqjen e ushtarëve eritrean nga Tigray. Ministria e Jashtme e Etiopisë tha të shtunën në mbrëmje se “këto trupa kishin filluar të evakuohen”.

Pse po zhvillohen luftimet?

Konflikti ka bazën në tensionet afatgjata në mes të Frontit Çlirimtar Popullor, parti e fuqishme rajonale, dhe Qeverisë Qendrore të Etiopisë.

Kur Abiy kishte shtyrë zgjedhjet kombëtare për shkak të coronavirusit në muajin qershor, marrëdhëniet ishin përkeqësuar.

Fronti Çlirimtar Popullor ka thënë se mandati i qeverisë qendrore ka skaduar dhe se Abiy nuk është testuar në zgjedhjet kombëtare.

Në muajin shtator, kjo parti ka mbajtur zgjedhjet e veta, të cilat qeveria qendrore i ka konsideruar “joligjore”.

Më 4 nëntor, Kryeministri i Etiopisë ka njoftuar për operacion kundër Frontit Çlirimtar Popullor, duke e akuzuar forcat e saj për sulme kundër selisë së ushtrisë në Mekelle.

Fronti Çlirimtar Popullor ka refuzuar këto pretendime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore