Kosova

Kryediplomati austriak: Falë punës së Borrell-it dhe Lajçak-ut – u arrit marrëveshja në Bruksel


Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg ka reaguar pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç – duke thënë se e ka mirëpritur dakordimin e sotshëm në Bruksel mes dy vendeve.

“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe një shtytje drejt rrugës për në BE, është çelësi”, ka shkruar Schallenberg në rrjetin e tij social në Twitter.

Tutje, kryediplomati austriak ka theksuar se i mirëpret hapat që janë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, ai ka nënvizuar se kjo ka ardhur “falë punës së Josep Borrell-it dhe Miroslav Lajçak-ut”.

“Pritet një zbatim në kohë dhe gjithëpërfshirës pasi modalitetet të jenë dakorduar reciprokisht”.

Ndryshe, marrëveshja nuk është nënshkruar, por si e tillë është pranuar nga palët, pra Kosova dhe Serbia.

Po ashtu, është zbuluar edhe zyrtarisht dokumenti i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila përmban gjithsej 11 nene.

Kjo marrëveshje parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë, por nuk përmendet njohja reciproke.

Takimi i rradhës në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it pritet të ndodh më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

Zyrtare: Publikohet Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë – Asociacioni brenda

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore