Lajme

Kriza në Kazakistan, Organizata e Shteteve Turke e gatshme për të ofruar mbështetje


Në një takim të jashtëzakonshëm të thirrur të martën e 11 janarit, në kuadër të zhvillimeve të fundit në Kazakistan, Organizata e Shteteve Turke përsëriti gatishmërinë e saj për të mbështetur vendin e Azisë Qendrore në tejkalimin e krizës.

Takimi virtual i ministrave të jashtëm u kryesua nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, me të pranishëm Mukhtar Tileuberdi i Kazakistanit, Ruslan Kazakbaev i Kirgistanit, Abdulaziz Kamilov i Uzbekistanit dhe Peter Szijjarto i Hungarisë.

Ministri i Jashtëm i Turkmenistanit, Rashid Meredov, dhe sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Shteteve Turke, Bagdad Amreyev, gjithashtu iu bashkuan takimit.

Rashid Meredov

Organizata dënoi aktet e dhunës, për të cilat tha se “minon rendin publik”.

Gjithashtu theksoi “rëndësinë e respektimit të normave dhe parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe mbështeti operacionet kundër-terroriste të qeverisë së Kazakistanit kundër terroristëve, radikalëve, ekstremistëve dhe kriminelëve, të cilët synojnë të shkatërrojnë rendin kushtetues”.

Shtetet anëtare “përsëritën gatishmërinë e tyre për të mbështetur popullin dhe qeverinë e Kazakistanit, sipas nevojës, për të kapërcyer krizën aktuale”.

Ata ranë gjithashtu dakord të “mbesin në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë” me Kazakistanin dhe shprehën mbështetje për agjendën e reformave të Presidentit të Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev “për të rritur më tej mirëqenien dhe prosperitetin e popullit”.

Kassym-Jomart Tokayev

Javën e kaluar, Tokayev shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vazhdën e protestave kundër dyfishimit të çmimeve të gazit të lëngshëm të naftës.

Më vonë ai kërkoi ndihmë nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, një bllok ushtarak i udhëhequr nga Rusia, i cili dërgoi trupa për të shuar trazirat.

Marrë nga Anadolu Agency, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore