Shqipëria

Kreu i KMSH-së: Të ruajmë me fanatizëm familjen


Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu gjatë përcjelljes së urimit për festën e Kurban Bajramit, ka vënë theksin tek familja dhe tek ruajtja e saj me fanatizëm.

Ai u shpreh se jeta në shoqërinë e sotme moderne është shumë e vrullshme dhe njerëzit kanë ngut për të arritur gjëra materiale edhe pse sipas tij ato nuk do i mbeten askujt.

“Dua të sjell në vëmendje lënien në harresë të familjes, ditë si kjo e sotmja duhet të shërbejnë për të reflektuar. Ne shohim se si rastet te dhunës në familje rriten, kjo është e papranueshme, fjala divorc po kthehet në diçka normale për çiftet”, tha Spahiu gjatë fjalës së tij.

Sipas tij, shqetësuese mbetet sjellja ndaj prindërve. Spahiu ftoi besimtarët myslimanë që të mos i lënë vetëm dhe të kujdesen për ta.

Ndërkaq, kreu i KMSH-së i konsideroi këto fenomene si një kambanë alarmi të asaj që po vjen.

Spahiu ravijëzoi se ne – referuar besimtarëve myslimanë – e kemi detyrim ta ndalim atë, nuk ka rrugë tjetër përveç kthimit të vëmendjes te familja.

“Ne duhet ta ruajmë me fanatizëm familjen. Familja është bërthama e shoqërisë njerëzore. Ushqeni dashuri ndaj njëri-tjetrit, t’i lutemi Zotit të na udhëzojë në rrugën e drejtë”, shtoi Spahiu.

Në sheshin ‘Skënderbej’ u mblodhën me qindra besimtarë për faljen e namazit, Spahiu kërkoi më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve.

“Të dashur motra dhe vëllezër, sot jemi mbledhur për të festuar Kurban Bajramin, festa që simbolizon dashurinë e njeriut ndaj Zotit të Gjithësisë. Kjo festë mbart kuptim dhe vlera të larta. Festat në Islam nuk janë festa konsumi, janë adhurim dhe gëzim njëkohësisht, Kurban Bajrami është festa që na kujton se sa i lartë duhet të jetë devocioni i njeriut ndaj Krijuesit të gjithësisë. Jeta e njeriut është një rrugë-kalim nga kjo botë për në botën e përtejme”, tha Spahiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore